Takime me zyrtarë të VV-së, rrena për zyrtarë amerikanë, shkrime në media: Zbulohet edhe më tej “Lule Gjeli”
Për muaj të tërë, profili "Lule Gjeli" ka publikuar dhjetëra postime në ditë kundër kujtdo që ka kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Në shënjestër të këtij profili në Facebook kanë qenë politikanë, gazetarë, analistë dhe figura të tjera publike.
Pas publikimit të fotografisë së personit që dyshohet se qëndron pas këtij profili dhe denoncimeve publike, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për rastin.
Megjithatë, zhvillimet nuk u ndalën me kaq. Të shtunën dolën në pah edhe detaje të tjera lidhur me "Lule Gjelin". Nacionale raportoi se personit që dyshohet se e menaxhon këtë profil i janë publikuar shkrime në mediumin "Kallxo.com". Kështu, atij i është dhënë hapësirë për të publikuar artikuj pikërisht në platformën që deklaron se lufton "fake news".
Gjatë ditës, disa figura publike, përfshirë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kërkuan sqarime nga Jeta Xharra lidhur me publikimin e këtyre shkrimeve. Deri në momentin e raportimit, ajo nuk u ishte përgjigjur as pyetjeve të Nacionales për këtë çështje.
Ndërkohë, sipas informacioneve, Gent Prokshi, personi që dyshohet se fshihet pas profilit "Lule Gjeli", ka punuar edhe në mediumin "Telegrafi".
Takimet me zyrtarë të LVV-së dhe pretendimet për sulme ndaj zyrtarëve amerikanë
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili deri vonë ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka bashkëpunuar ngushtë me këtë subjekt politik, ka publikuar pretendime të reja lidhur me personin që dyshohet se qëndron pas profilit "Lule Gjeli".
Në një shkrim në Facebook, Abazi ka pretenduar se "Lule Gjeli" ka vepruar në shërbim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Dejona Mihalit.
Sipas Abazit, përmes këtij bashkëpunimi janë prodhuar vazhdimisht lajme të pavërteta edhe për zyrtarë të lartë amerikanë, duke ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së. Në vazhdimësi, së bashku kanë prodhuar lajme të pavërteta edhe për zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe kanë kontribuar në prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në duke sulmuar zyrtarët dhe poashtu në bashkëveprim me zyrtarë lokal të ambasadave të huaja në Kosovë, kanë keqinformuar dhe deformuar informacione me qëllim denigrimin dhe eliminimin e kundërshtarëve politik.
Kurti ka përzgjedhur që në SHBA të ketë të tillë si përfaqësues dhe informatorë, ka injoruar Ambasadën dhe patriotët e intelektualët në mërgatë dhe ka angazhuar persona shumica me dosje dhe reputacion shumë të keq e për rrjedhojë kanë marrë urdhra nga ai dhe drejtpërdrejt nga Dejona”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit të tij, Abazi ka bërë të ditur se e kishte takuar personin që e identifikon si "Lule Gjeli" në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021, duke kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta ftojë për të dëshmuar në këtë rast.
“Publikisht kërkoj nga prokurori që ka marrë rastin në dorë të më dërgojë ftesë për dëgjim lidhur me Lule Gjelin, të cilin e kam takuar në Delaëare në vitin 2021 me kërkesën e tij. Hera e parë dhe e fundit që kam komunikuar me atë njeri, por pasojat e luftës speciale kanë vazhduar deri në penetrimin e mediave dhe të opinionit dhe deformimin e së vërtetës”.