Brenda fabrikës së denigrimit të “Lule Gjelit”: Çdo gjarje kthehej në dezinformatë dhe fushatë linçuese - NACIONALE

Brenda fabrikës së denigrimit të “Lule Gjelit”: Çdo gjarje kthehej në dezinformatë dhe fushatë linçuese

1 orë më parë

nga NACIONALE

Emri ishte veç maskë prej germash. Pas tij, për vite me radhë, u orkestrua fushatë e egër dezinformimi dhe denigrimi kundër njerëzve me emër, familje, reputacion dhe peshë publike, ndërkohë që administratori i faqes mbetej i fshehur pas një identiteti fiktiv.

Lista e të shënjestruave të profilit "Lule Gjelit" nuk shfaqte aspak rastësi. Në të rreshtoheshin kundërshtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetët e opozitës, gazetarët kritikë, diplomatët amerikanë dhe figura ndërkombëtare.

Repertori ishte thuajse i pandryshueshëm: Serbia, Aleksandar Vuçiq, lëndët narkotike, tradhtia kombëtare, mohimi i krimeve të luftës dhe kundërshtimi i Pavarësisë së Kosovës.

Kur shënjestrohej opozita, mjaftonte njëra nga këto etiketa për ta demonizuar kundërshtarin si armik të vendit. Kur kërkohej lartësimi i pushtetit, zbatohej formulë tjetër: mekanizmave ndërkombëtarë u atribuheshin deklarata që nuk i kishin thënë kurrë.

Postimet zakonisht ngriheshin mbi një fragment të vërtetë. Imazhi ishte autentik. Personi ekzistonte. Ndoshta edhe ngjarja kishte ndodhur. Mirëpo e rreme nga fillimi në fund ishte narrativa që ndërtohej mbi to.

Mbështetur në burime të mirëinformuara të Gazetës Nacionale, si dhe mbi gjurmë që zbardhen përmes hulumtimeve elementare online, pas kësaj maske fshihet emri Gent Prokshi.

Emër që shfaqej në media qysh më 2009

Gent Prokshi nuk shfaqet për herë të parë në hapësirën publike prej raportimeve të fundit mbi “Lule Gjelin”.

Emri i tij regjistrohet në arkivat e Telegrafit, në artikuj të botuar 17 vjet më parë. Shkrimi “Spanja pranon gabimin”, i publikuar më 25 mars 2009, mbyllet me emrin Gent Prokshi. Vetëm pak ditë më pas, më 1 prill, te materiali “Qëndrimi ndaj Kosovës, telashe për Qeverinë spanjolle”shënohej: “Përgatiti: Gent Prokshi”.

Këto dy publikime dëshmojnë se një individ me këtë emër kishte qenë i angazhuar në përpilimin e përmbajtjeve mediatike.

Ato nuk faktojnë vetvetiu se bëhet fjalë për administratorin e “Lule Gjelit”. Megjithëse kjo lidhje kërkon verifikim të pavarur, ajo përputhet me të dhënat e burimeve të Nacionales se individi i piketuar prej tyre kishte vepruar më parë në fushën e medias.

Kur “Lule Gjeli” mori profesion dhe biografi

Por nga gjurmët më komprometuese të kësaj ruhet në arkivin e KALLXO.com.

Më 27 gusht 2020, mediumi e nxori “Lule Gjelin” nga "anonimiteti i Facebookut" dhe e paraqiti para lexuesit si autore me kredenciale profesionale. KALLXO.com botoi një opinion me këtë emër, duke e prezantuar “Lule Gjelin” si “konsulente të së drejtës komerciale”.

Si autore e atij shkrimi figuronte “Lule Gjeli”.

Askund pranë emërtimit nuk specifikohej se bëhej fjalë për një pseudonim, burim anonim apo identitet të huazuar nga rrjetet sociale. Përkundrazi, analizës i ishte bashkëngjitur edhe një biografi profesionale. “Lule Gjeli” përshkruhej si “konsulente e së drejtës komerciale” pranë një kompanie që merrej me mbrojtjen e fondeve.

Nuk bëhej fjalë thjesht për një emër mbi një shkrim opinioni. “Lule Gjelit” i ishte veshur profesion, një profil autorial dhe një vend në arkivin e mediumit. Për lexuesin, ai paraqitej si një individ real me ekspertizë të mirëfilltë.

Po atë ditë, analiza u publikua edhe nga KoSSev në gjuhën serbe dhe atë angleze. Materiali rezulton i huazuar nga KALLXO.com.

Gazeta Nacionale ka tentuar të sigurojë sqarime nga drejtoresha e KALLXO.com, Jeta Xharra, lidhur me identitetin e autores dhe rrethanat e botimit. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ajo nuk ka qenë e arritshme.

Nga citatet e rremë te sajimi i “vdekjeve"

Më 1 korrik 2026, “Lule Gjeli” publikoi njoftim të rremë mortor ku pretendohej se ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte ndërruar jetë papritmas. Postimi u fshi, por vetëm pasi pat filluar të qarkullonte e të shpërndahej nga faqe të tjera.

Por, ky nuk përbënte rast të izoluar.

E njëjta metodologji u zbatua edhe kundër Bedri Hamzës. Pjesëmarrja e tij në protestën “Drejtësi, jo politikë”, e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, u tjetërsua si thirrje për protestë kundër Pavarësisë së Kosovës.

Pretendimi, natyirisht i pabazë, gjeneroi qindra reagime e komente nga përdorues që e trajtuan si informacion autentik.

Në një tjetër postim, “Lule Gjeli” pretendoi pa asnjë provë se bashkëshortja e diplomatit amerikan Gabriel Escobar kishte përfituar 3.4 milionë dollarë nga Serbia.

Eurodeputetes Viola von Cramon iu mvesh mohimi i krimeve serbe në Kosovë. As ajo nuk e kishte bërë deklaratën që qarkulloi pranë imazhit të saj.

Në një postim tjetër ku ishte shtuar fotografia e deputetes Hykmete Bajrami pretendohej se një laborator droge i zbuluar në Prizren i përkiste një deputeti të LDK-së.

Strategjia ndiqte dy metoda: për goditjen e opozitës shfrytëzoheshin Serbia, Vuçiqi ose krimi i organizuar; ndërsa për lartësimin e Qeverisë Kurti përdorej autoriteti i Shteteve të Bashkuara.

Kështu ngjau kur Ambasadës Amerikane iu atribuua një vlerësim pozitiv mbi punën e Qeverisë në veri. Ambasada nuk e kishte shprehur një lavdërim të tillë.

Një gënjeshtër, tri platforma, më pak se tri orë

Një rast i dokumentuar në prill të vitit 2025 nga Hibrid.info dëshmon shpejtësinë me të cilën rridhte një përmbajtje e tillë.

Në TikTok u shpërnda pretendim i rremë nga një faqe "me.qeverine.kurti.3" mbi një marrëveshje mes partive opozitare dhe Listës Serbe. Në orën 15:24, po ai pretendim u shfaq te “Lule Gjeli” në Facebook. Më pas, në orën 16:34, përmbajtja u botua në anglisht në platformën X.

Për dy orë e 38 minuta, trillimi kishte depërtuar në tri platforma dhe ishte përshtatur për audiencë ndërkombëtare. Hibrid.info e dokumentoi të gjithë këtë kronologji.

Ndonëse kjo s'e provon se të gjitha llogaritë administroheshin nga i njëjti individ, kjo tregon se si përmbajtja nuk mbetet e izoluar aty ku prodhohej: dikush e përvetësonte, dikush tjetër e përkthente dhe një llogari vijuese e përcillte te platformat tjera.

Thirrje për përgjegjësi

Publikimi i emrit të dyshuar prapa profilit dhe analiza e botuar në KALLXO.com shkaktuan reagime të shumta.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe ai kishte qenë viktimë e “Lule Gjelit”. Ai kërkoi përgjigje publike nga BIRN Kosova, KALLXO.com dhe Jeta Xharra për identitetin e autorit dhe bashkëpunimin me të.

Pyetjet e Ramës ishin konkrete: Kush ishte autori? Sa kishte zgjatur bashkëpunimi? A ishte paguar dhe, nëse po, nga cilat fonde? A kishte pasur ndonjë politikan rol në diskutimet për botimin e opinioneve proqeveritare?

Rama pyeti gjithashtu nëse mediumi do t’u kërkonte falje njerëzve që thonë se janë dëmtuar nga profili.

Për përgjigje, ai caktoi afat deri të hënën: “Unë pres reagim dhe sqarim publik më së largu deri të hënën. Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Nëse sqarimet nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë, do të kërkoj ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën.”

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi që hetimi të mos ndalej te njeriu që mund ta ketë administruar profilin. Sipas saj, duhet të zbulohet nëse pas llogarive të tilla qëndrojnë organizatorë, financues ose urdhërues.

“Prandaj, Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e ‘Lule Gjelit’, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik.

Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve. Ai duhet të shkojë deri në fund, për të zbuluar kush i ka organizuar, koordinuar, financuar apo urdhëruar”, shkroi Çitaku.

Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi nga institucionet e rendit dhe të sigurisë të identifikonin çdo person, grup ose entitet që mund të ishte pjesë e asaj që ai e quajti skemë kriminale.

Ndërsa deputetja Blerta Deliu tha se do të shkonte në Prokurorinë Speciale për ta denoncuar profilin dhe për t’i dorëzuar informacionet që posedon. Ajo u bëri thirrje edhe personave të tjerë që thonë se janë kërcënuar, shantazhuar ose fyer, që t’i dorëzojnë dëshmitë e tyre.

Ermal Sadiku, i sulmuar më herët nga profili, iu drejtua publikisht personit të identifikuar në raportime me emrin Gent. Në një koment, Sadiku shkroi se, ndryshe nga personi të cilit po i drejtohej, nuk fshihej pas profileve të rreme, nuk fyente dhe nuk shantazhonte njerëz.

Ish-deputeti Haki Abazi tha se në vitin 2021, në Delaware të Shteteve të Bashkuara, e kishte takuar personin që ai e njeh si “Lule Gjeli”. Sipas Abazit, takimi ishte zhvilluar me kërkesën e vetë personit.

Ai kërkoi që prokurori ta ftonte për intervistim dhe pretendoi se profili kishte vepruar në shërbim të kryeministrit Albin Kurti dhe koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali.

Abazi hodhi akuza edhe për prodhimin e të pavërtetave kundër zyrtarëve amerikanë. Ai kërkoi që hetimi të mos kufizohej te administratori, por të përfshinte edhe personat që ai i konsideron urdhërues.

“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së. Në vazhdimësi, së bashku kanë prodhuar lajme të pavërteta edhe për zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe kanë kontribuar në prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në duke sulmuar zyrtarët dhe, po ashtu, në bashkëveprim me zyrtarë lokalë të ambasadave të huaja në Kosovë, kanë keqinformuar dhe deformuar informacione me qëllim denigrimin dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Kurti ka përzgjedhur që në SHBA të ketë të tillë si përfaqësues dhe informatorë, ka injoruar Ambasadën dhe patriotët e intelektualët në mërgatë dhe ka angazhuar persona, shumica me dosje dhe reputacion shumë të keq, e për rrjedhojë kanë marrë urdhra nga ai dhe drejtpërdrejt nga Dejona”, ka shkruar Abazi.

Lajme të ngjashme