Blinken pas takimit me Osmanin e Kurtin: E përkrahim dialogun Kosovë-Serbi
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë fjalët e tij pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA]. Sipas deklarimit të Blinken mund të kuptohet se fokusi i takimit ka qenë dialogu i Kosovës me Serbinë.
Në një shkrim në rrjetin social Twitter, Blinken ka bërë të ditur edhe njëherë se Amerika e përkrah integrimin euroatlantik të Kosovës dhe mbështet dialogun mes Kosovë dhe Serbisë.
“U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.

Çfarë u tha gjatë takimit?
Sekretari amerikan, Anthony Blinken, i falënderoi Kurtin e Osmanin për vizitën.
“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-të. Ju falënderoj edhe një herë që keni mirëpritur afganët dhe për mbështetjen që nga dita e parë për Ukrainën, kundër agresionit rus. Kemi punuar edhe në aspekte të tjera, e çmoj këtë. Faleminderit që keni ardhë, është nder dhe kënaqësi”, ka thënë Blinken.
Ndërsa presidentja Osmani tha se lidhjet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale.
“Lidhjet tona me ShBA-të kanë qenë gjithmonë ekzistenciale. Siç e dini, Putini po tenton ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, ne do të punojmë me ju dhe administratën Biden. Ne do të shikojmë përpara në fuqizimin e ligjit dhe ju falënderojmë për mbështetjen tuaj. Faleminderit për mikpritjen tuaj”, tha Osmani.
Fotografi në rrjetet sociale
Pas takimit, krerë e shtetit mbushën faqet e tyre zyrtare me fotografi nga takimi me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.
Presidentja Vjosa Osmani nuk tha ndonjë fjalë sa i përketë dialogut me Serbinë. Ajo në shkrimin e saj në Facebook, nënvizoi se raportet me Amerikën janë ekzistenciale.
“Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale! Nder i veçantë takimi me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, me të cilin rikonfirmuam partneritetin tonë të palëkundur, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm e strategjik. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta intensifikojmë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik. Së bashku qëndrojmë krah për krah në adresimin e sfidave të përbashkëta ndaj paqes, sigurisë, si dhe në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike.”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit publikoi disa fotografi nga ceremonia e nënshkrimit dhe biseda me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken dhe tha se në takim është ia ka konfirmuar se Kosova është për arritjen e një marrëveshje me Serbinë e cila në qendër ka njohjen reciproke.
“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë të fuqishme aktualisht dhe të thella historikisht. Qëndrojmë krah për krah njëra tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë.”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Kujtojmë se vizita e Osmanit dhe Kurti në Amerikë u komentua jashtëzakonisht shumë, pasi pretendohet se Kurti nuk kishte marrdhënie të mira me amerikanët.
Ndryshe Osmani e Kurti, bashkë me ministëren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli udhëtuan në SHBA për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në.
“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.