Takimi i Osmanit e Kurtit me Blinken, sekretari amerikan: Faleminderit që keni ardhë, është nder - NACIONALE

Takimi i Osmanit e Kurtit me Blinken, sekretari amerikan: Faleminderit që keni ardhë, është nder

4 vjet më parë

nga Gazeta Nacionale

Takimi në mes të presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti e sekretarit të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, tashmë ka filluar. Në takim është edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zëvendës-ndihmës-sekretarja, Karen Donfried, të cilët kohë më parë kanë vizituar Prishtinën.

Çfarë u tha gjatë takimit?

Sekretari amerikan, Anthony Blinken, i falënderoi Kurtin e Osmanin për vizitën.

“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-të. Ju falënderoj edhe një herë që keni mirëpritur afganët dhe për mbështetjen që nga dita e parë për Ukrainën, kundër agresionit rus. Kemi punuar edhe në aspekte të tjera, e çmoj këtë. Faleminderit që keni ardhë, është nder dhe kënaqësi”, ka thënë Blinken.

Ndërsa presidentja Osmani tha se lidhjet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale.

“Lidhjet tona me ShBA-të kanë qenë gjithmonë ekzistenciale. Siç e dini, Putini po tenton ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, ne do të punojmë me ju dhe administratën Biden. Ne do të shikojmë përpara në fuqizimin e ligjit dhe ju falënderojmë për mbështetjen tuaj. Faleminderit për mikpritjen tuaj”, tha Osmani.

Ndryshe, gjatë pjesës publike të takimit, kryeministri Kurti nuk ka folur ndonjë fjalë.

Takimi i paralajmëruar

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, siç ishte njoftuar, do të priteshin në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ky është takimi i dytë i tyre, nëse mund të numërohet takimi që ndodhi gjatë ceremonisë së varrimit të Madeleine Albright, në korridorin e katedrales.

Takimi me të do të ndodhë në ditën e dytë të qëndrimit të dy krerëve të shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani e Kurti udhëtuan në SHBA për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në.

Për këtë takim, Osmani kishte njoftuar edhe në Twitter.

“Mezi presim takimin me Sekretarin Blinken sot për të forcuar më tej partneritetin tonë të hekurt. Krahas kryeministrit Kurti, ne do të diskutojmë për mënyrat që t’i afrojmë dy popujt dhe vendet tona në këtë kohë kyçe për demokracinë, paqen dhe sigurinë në mbarë botën."

Takimi në Departamentin e Shtetit ndërmjet Osmanit, Kurtit dhe Blinken, do të mbahet në ora 16:30, sipas orës lokale të Washington D.C. ose 22:30 sipas orës sonë lokale.

Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti do të qëndrojë në SHBA së bashku me presidenten Vjosa Osmani e ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Atje Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për investime në sektorin e energjisë.

Zyra e Kryeministrit qysh në mëngjesin e së hënës lëshoi një njoftim për udhëtimin e tre pushtetarëve të lartpërmendur, duke treguar edhe arsyen.

“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Lajme të ngjashme