Thuhet se Burnham ka shkëmbyer mesazhe me një person që shtirej si shefja e stafit të Trumpit - NACIONALE

Thuhet se Burnham ka shkëmbyer mesazhe me një person që shtirej si shefja e stafit të Trumpit

45 minuta më parë

nga NACIONALE

Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka shkëmbyer mesazhe me një person që është paraqitur si shefe e stafit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Qeveria britanike ka refuzuar që të komentojë rreth kësaj shkeljeje të sigurisë, për të cilën i pari raportoi mediumi “Politico”, transmeton televizioni BBC.

“Politico” raportoi se zyrtarët kanë thënë se Burnhami ka komunikuar me personin që shtirej se ishte Susie Wiles “para se të kishte dyshime se kontakti ishte jolegjitim” dhe pretendoi se janë shkëmbyer “vetëm pak mesazhe”.

Një zëdhënës qeveritar britanik tha: “Ne nuk i komentojmë çështjet e sigurisë kombëtare.”

Merret vesh se komunikimi mes Burnhamit dhe personit që u paraqit si zonja Wiles ishte në formën e mesazheve dhe nuk ka pasur bisedë mes tyre.

“Asnjë mesazh domethënës” nuk u shkëmbye dhe tekstet “u raportuan shpejt tek autoritetet përkatëse”, porsa u besua se ato ishin të dyshimta, thanë burimet.

Qeveria britanike nuk tregoi se kur janë shkëmbyer këto mesazhe ose sa janë, por as nëse ato janë shkëmbyer në platformën “Whatsapp” apo në ndonjë sistem tjetër.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha BBC-së të hënën se incidenti i fundit “nuk ka të bëjë asgjë” me hakimin e telefonit të zonjës Wiles.

BBC-ja ka raportuar më parë për një hetim të FBI-së rreth harkimit të telefonit të shefes së stafit të Trumpit në maj të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme