Irani kërcënon me ofensivë në Ngushticën e Hormuzit, nëse dështon diplomacia me ShBA-në - NACIONALE

Irani kërcënon me ofensivë në Ngushticën e Hormuzit, nëse dështon diplomacia me ShBA-në

32 minuta më parë

nga NACIONALE

Irani ka vendosur që ta ndryshojë politikën e vet nga mbrojtja në “ofensivë të plotë” për shkak të ngërçit në përpjekjet për të arritur marrëveshje për përfundimin e përhershëm të luftës me Shtetet e Bashkuara, i tha të hënën agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë iranian.

Përparimi drejt marrëveshjes së paqes dhe rinisja e trafikut të anijeve të naftës nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit janë ndërprerë dhe nuk ka shenja që palët ndërluftuese janë duke lëvizur drejt përfundimit të konfliktit të nisur nga ShBA-ja dhe Izraeli më 28s shkurt.

“Entitetet iraniane duhet të jenë të përgatitura për t’i përshkallëzuar tensionet në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin më të gjerë, pasi Irani do të jetë i gatshëm për të marrë vendime dhe për të ndërmarrë veprime rreth vendimeve të rëndësishme” – tha zyrtari iranian, duke shtuar se Teherani do të kryejë një sulm ushtarak “të përpiktë dhe në kohën e duhur” për ta thyer bllokadën detare amerikane, nëse diplomacia dështon.

Nuk pati kundërpërgjigje të menjëhershme nga Uashingtoni ndaj këtyre komenteve, por presidenti amerikan, Donald Trump, tha në një intervistë përmes telefonit me televizionin “Fox News” të hënën se Irani “Irani duhet ta ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit”.

Gjatë tërë kohës së konfliktit, Trumpi është luhatur mes kërcënimeve për përshkallëzim dhe pohimeve se një marrëveshje e paqes është afër.

E hëna e shënoi ditën kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara duhej të arrinin një marrëveshje përfundimtare sipas memorandumit të mirëkuptimit të arritur në qershor me qëllim të përfundimit të luftës.

I nënshkruar më 17 qershor, në këtë memorandum përcaktohej një kornizë kohore 60-ditore, që mund të zgjatej me pëlqimin e dyanshëm, me të cilin Uashingtoni dhe Teherani duhet të arrijnë një marrëveshje më të gjerë për çështjet si kufizimi i programit bërthamor të Teheranit dhe heqja e sanksioneve amerikane.

Kjo marrëveshje e përkohshme, me të cilën u shpall “përfundimi i menjëhershëm dhe i përhershëm i operacioneve ushtarake në të gjitha frontet”, u shthur shpejt, megjithatë, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth kontrollit të Ngushticës së Hormuzit.

“Brenda periudhës së shkurtër të pak javëve të përcaktuara nga Irani, të gjitha dispozitat e marrëveshjes duhet të zbatohen nga ShBA-ja. Ky është parakusht për bisedime të mëtejme me ShBA-në” – i tha zyrtari iranian agjencisë “Reuters”, duke shtuar se ndërmjetësit do t’i njoftojnë Uashingtonin dhe shtetet rajonale për afatin e caktuar nga Teherani.

Lajme të ngjashme