Përvjetori i gjashtë – saga dhe presionet për vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit
Vendimet e saj nuk apelohen. Kur Gjykata Kushtetuese vendos me aktgjykim, të gjitha palët e përfshira në kontest e zbatojnë vendimin. Kështu, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë zbatuar, edhe kur ajo ka rrëzuar presidentë, qeveri e ligje.
Por e njëjta nuk po ndodh me një vendim të para 6 viteve. Aktgjykimi me të cilin Kushtetuesja vendosi se 24 hektarët përrreth Manastirit të Deçanit i takojnë Manastrit, nuk u zbatua kurrë.
Të kundërligjshme e vepër penale, faktin që nuk po zbatohet ky vendim, e sheh Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Në një prononcim për Nacionalen, Kryeziu tha se zbatueshmëria e vendimeve të gjykatës nuk ka alternativë, në të kundërtën kryhet vepër penale.
“Është parim kushtetues që të gjitha vendimet e gjykatave faktike, autoritetet apo zyrtarët e shtetit e kanë për detyre që t’i zbatojnë. Në rastin konkret, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit, ka për obligim që t’i zbatojnë organet komunale. Në këtë rast, kryetari i komunës së Deçanit, me dikasteret e veta që lidhen me pronësi dhe administratë”, ka thënë Kryeziu.
“Deri më tash ata nuk e kanë zbatu, duke pasë parasyshë këtë, pala e interesuar në këtë kontest, në këtë rast Gjykata Kushtetuese e ka obligim ligjor që ta lajmërojë Prokurorinë e Shtetit, që një vendim i gjykatës nuk po zbatohet.
Kështu, me një aktvendim të veçantë, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar prej prokurorisë, që ta mundësojë zbatimin e vendimit, sepse gjykata konsideron se moszbatimi i vendimit është vepër penale. Vendimi ende nuk është zbatu. Ai duhet me u zbatu 100%”, theksoi ish-gjyqtari i Kushtetueses.
Kurse sa i përket presioneve ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje, Kyeziu tha se është interes sidomos i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ky vendim të zbatohet, përndryshe, sipas Kryeziut, krijohet anarki.
“Presionet ndërkombëtare janë rrethana të jashtme të cilat ndikojnë qoftë pozitivisht ose negativisht. Faktori ndërkombëtar sidomos SHBA-të janë të interesara që ky vendim të zbatohet për shkak se ka marrë formën e prerë. Nëse nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, krijohet një anarki-shtet. Autoritetet shtetërore që nuk e zbatojnë një vendim të tillë, kryejnë vepër penale.”
Thirrjet e ndërkombëtarëve
Në fakt, thirrjet ndërkombëtare për zbatimin e këtij vendimi, nuk u ndalën anjëherë. Një i tillë erdhi edhe sot.
Shtetet e QUINT-it, sot në 6-vjetorin e vendimit të Kushtetueses, lëshuan këtë komunikatë për media, me anë të së cilës kërkuan nga qeveria që ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke nënvizuar se ky është edhe njëri ndër parakushtet për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane.
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në komunikatë.
Kontesti - Aktgjykimi
Më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati ndërprerë sagën 16 vite të gjatë, të një kontesti ligjor, në mes ndërmarjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” në njërën anë, dhe Manastirit mesjetar të Deçanit në anën tjetër.
Kushtetuesja pati vendosur se 24 hektarët e kontestuara i takojnë Manastrit.
Vetëm një ditë pas këtij vendimi, kompanitë “Apiko” dhe “Iliria” i parashtruan kërkesë Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë” duke kërkuar anulimin dhe revokimin e vendimit të Kushtetueses. Meqenësë vendimet e Kushtetueses nuk apelohen, një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh.
Por, parasysh nuk u mor as vetë aktgjykimi. Meqenëse Kushtetuesja po e shihte se vendimi i saj nuk po zbatohet, më 24 shtator, më një veprim të paprecedent, Kushtetuesja i dërgoi një letër Kryeprokurorit të Shtetit, atëbotë Aleksandër Lumezit.
Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese thekson që ajo “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e Aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.
Edhe pas kësaj letre të kushtetueses për Prokurorinë e Shtetit, gjendja në terren nuk ndryshoi. Vendimi nuk u zbatua.
Kurti e Ramosaj kundërshtojnë
Përderisa ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se u takon organeve komunale, në këtë rast komunës së Deçanit, ta zbatojnë këtë vendim, letrat dhe thirrjet e ndërkombëtarëve, gjithmonë target kanë qeverinë.
Por, edhe njëra edhe tjetra, duket se janë të një fjale, sa i përket moszbatueshmërisë së këtij vendimi.
Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për televizionin publik RTK, pati thënë se, një vendim i tillë e legjitimon, një vendim te mëparshëm të ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, dhe se si i tillë nuk duhet të legjitimohet.
“Vendimet që janë marrë nga regjimi i Millosheviqit nuk do të duhej të pranoheshin si vendime të zakonshme të qeverisjeve legjitime e demokratike. E kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet ta ketë një hapësirë rrotull dhe ata kanë nevojë për qetësinë e ambientit, e kuptoj që ata kanë nevojë edhe për ndihmën e qeverisë së Kosovës, por ne e kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviqit të cilët për bindjen time, çuditërisht janë pranuar nga një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo në fazat e zakonshme”, pati thënë Kurti.
Po ashtu, edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka qëndrim të njëjtë, duke thënë se nuk e kanë ndërmend që këtë vendim ta zbatojnë, dhe se kjo tokë, i takon kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”. Sipasj tij, kjo tokë, nuk ka qenë asnjëherë e manastirit të Deçanit, e se një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese e legalizon vendimin e Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1997.