Liburn Aliu kërcënon me dorëheqje nëse Kurti e detyron ta zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit - NACIONALE

Liburn Aliu kërcënon me dorëheqje nëse Kurti e detyron ta zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Viti i ri për Kurtin erdhi me një letër nga Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, ku kërkohej zbatimi i marrëveshjes për energji elektrike për veriun e Kosovës dhe zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit. Të parën e kreu Besnik Bislimi, e për të dytën Liburn Aliu i rebeluar thotë se më përpara jep dorëheqje.

Burime të Gazetës Nacionale brenda Qeverisë Kurti tregojnë si Blinken ia ka bërë me dije Kurtit se institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Por, Liburn Aliu si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u ka thënë njerëzve të tij se më përpara jep dorëheqje sesa ta zbatojë atë vendim.

Blinken në takim me Kurtin ka kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. E Liburni ka thënë ‘më përpara jap dorëheqje sesa ta zbatojë atë vendim’” – thotë ky burim për Gazetën Nacionale.

Kjo s’është hera e parë që Blinken vjen me këtë kërkesë për institucionet e Kosovës. Në janar, Blinken në një letër i kishte thënë Kurtit se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“... autoritetet në Kosovë duhet t’i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit” – thuhej në letrën e Blinkenit.

Ama, kjo s’është as hera e parë që Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje. Në shkurt të këtij viti, kryeministri ka thënë se Kushtetuesja s’është dashur të marrë vendim mbi këtë çështje pa u konsumuar shkallët tjera juridike.

Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve” – deklaroi Kurti.

Bislimi kreu punën e tij për energjinë në Veri të Kosovës, por Aliu s'do që ta bëjë të tijën

Librun Aliu i rebeluar refuzon ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Por, në anën tjetër, Besnik Bislimi, e ka realizuar kërkesën e Blinkenit për zbatimin e marrëveshjes për energji elektrike.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur tashmë pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje - ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit - zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por u tha se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të lejojë Manastirin e Deçanit të regjistrojë në kadastër 24 hektarët tokë dhe pyje.

Lajme të ngjashme