Manastiri përplas edhe komunën e Deçanit me Europa Nostran, përfshihet Von Cramon - NACIONALE

Manastiri përplas edhe komunën e Deçanit me Europa Nostran, përfshihet Von Cramon

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Problemi me Manastirin e Deçanit

Manastiri i Deçanit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vazhdon të mbetet njëra nga temat më të diskutuara në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtar të Kosovës. Së fundmi, Kosovën e kanë vizituar përfaqësuesit e organizatës për trashëgimi kulturore, Europa Nostra. Kjo vizitë si duket, vetëm ka nxitur përplasje edhe më të ashpra. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Për katër ditë me radhë, përfaqësues të organizatës prestigjioze për trashëgimi kulturore, Europa Nostra, qëndruan në Kosovë. Ata vizituan nga afër edhe Manastirin e Deçanit, të cilin muaj më parë e kishin renditur në mesin e katër objekteve më të rrezikuara.

Megjithatë, duket se kjo vizitë vetëm sa ka ndikuar që të shtohen edhe më shumë përplasjet ndërmjet institucioneve, Europa Nostras dhe Manastirit të Deçanit.

Në një komunikatë për media madje, organizata Nostra, kishte rekomanduar që Manastiri të ruhet për 24 orë nga trupat e KFOR-it, raporton gazeta Nacionale.

“Çështja kryesore e diskutuar me bashkëbiseduesit ishte përfshirja e Manastirit të Shekullit 14 të Deçanit në Listën e vitit 2021 në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë dhe opsionet për ta përmirësuar situatën. Një vit pas publikimit të kësaj liste, arsyeja kryesore e përfshirjes mbetet ende valide. Së pari, asnjë zgjidhje përfundimtare nuk është arritur nga të gjitha palët sa i përket pasojave të shkaktuar nga planet për të rritur trafikun brenda dhe përreth Zonës së Mbrojtur të Veçantë të Manastirit të Deçanit, e as sa i përket intervenimeve tjera të njoftuara... që negativisht do të afetkonin ambientin natyror të Manastirit, i cili konsiderohet si pjesë integrale e vlerave të jashtëzakonshme të trashëgimisë. Së dyti, vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarët e tokës edhe më tej nuk është zbatuar...E treta, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastirit i vyen mbrojtje e KFOR-it për 24 orë, siç është konfirmuar edhe nga komandanti i KFOR-it.” – shkruan Europa Nostra mes tjerash në reagimin e saj.

Gazeta Nacionale ditë më parë ka raportuar edhe për një përplasje ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë, më saktë Liburn Aliut, dhe organizatës Europa Nostra.

Duke qortuar Europa Nostran, Aliu është shprehur se “insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra,” ndërsa ka ritheksuar se kjo organizatë “i detyrohet kërkim-falje e madje edhe kompensim për dëmin që i ka shkaktuar reputacionit të Kosovës”.

Përplasje edhe me komunën e Deçanit

Në lidhje me propozimin e organizatës Europa Nostra, mëngjesin e sotëm ka reaguar ashpër edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ky i fundit e quan skandaloz raportin e organizatës në fjalë, për Manastirin.

“Rikujtojmë njëkohësisht për “EuropaNostra” raportet e KFOR-it si përgjegjës i drejtpërdrejt I ofrimit të sigurisë sipas mandatit të tij ligjor, përfshirë mekanizmat tjerë të sigurisë sikurse Policia e Kosovës e deri te KKSB-ja (Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi), ku pjesë e këtij Këshilli është edhe personeli i Manastirit të Deçanit. Raportet e këtyre mekanizmave dëshmojnë se për më shumë se një dekadë siguria rreth Manastirit të Deçanit është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe se nuk ka vend për shqetësim për sigurinë, duke u thirrur në traditën shekullore të qytetarëve të këtij vendi të cilët e kanë mbrojtur dhe ruajtur këtë Manastir. Kjo traditë dhe kjo kulturë e qytetarëve të këtij vendi së paku duhet të vlerësohet”, thuhet në reagimin e Manastirit të Deçanit.

“Njoftojmë dhe sqarojmë organizatën tuaj “EuropaNostra” që në muajin nëntor me datë 09.11.2020, kemi rënë në dakordim për ndërtimin e sinkronizuar të rrugëve alternative në zonën e veçantë të cilat zgjidhin çështjen e qarkullimit të automjeteve përreth Manastirit, me theks të veçantë vlen të ceket dakordimi jonë si komunë që në rrugën e Manastirit të qarkullojnë automjetet e lehta, qarkullimi i të cilave nuk përbëjnë cenim për Manastirin, siç pretendon (EuropaNostra)”, bëhet e ditur në reagimin e komunës së Deçanit.

“Vlerësojmë se, “EuropaNostra” është dashur që t’i trajtoj me më kompetencë dhe profesionalizëm aspektin e sigurisë juridike duke iu referuar organizatave ndërkombëtare që në mandatin e tyre e kanë monitorimin për zbatimin e ligjshmërisë siç është OSCE, BE, KZM- ja si trupë monitoruese dhe dokumenteve relevante të cilat i posedon komuna e Deçanit. Ne, shprehim indinjatën tonë kundrejt pretendimit të organizatës suaj që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara, pa i vlerësuar faktet konkrete të cilat kanë relevancë për çështjen në fjalë, dhe të cilat u janë ofruar delegacionit tuaj gjatë takimit në komunën e Deçanit”, përfundon komunikata.

Përfshihet edhe Viola Von Cramon

E në këtë temë është përfshirë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Kjo e fundit madje, është takuar me sekretaren e organizatës Europa Nostra.

“Takim i hapur dhe produktiv me Sekretaren Gjenerale të Europa Nostra, mbi nevojën për të përmirësuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar në Evropë, me fokus të veçantë në Manastirin e Deçanit dhe trashëgiminë kulturore të shkatërruar në Ukrainë”, ka thënë Von Cramon.

Në anën tjetër, janë të përditshme reagimet nga kori diplomatik në Kosovë, në lidhje me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastrin e Deçanit.

Lajme të ngjashme