Toka problematike, SHBA e BE kërkojnë zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit - NACIONALE

Toka problematike, SHBA e BE kërkojnë zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë Manastirit të Deçanit për tokat rreth këtij objekti të kultit, vazhdimisht po përmendet nga bashkësia ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndanë të njëjtin mendim me Bashkimin Evropian. Ato vazhdojnë të insistojnë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

Madje, tema e Manastirit të Deçanit u përmend edhe në takimin e kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

BE e ripërsërit kërkesën

Në një publikim të Zyrës së Borrellit, theksohet se kryediplomati i BE-së i ka përkujtuar vazhdimisht Kosovës nevojën për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit.

“BE-ja vazhdimisht u ka përkujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, theksohet në përgjigjen e Borrell për Parlamentin Evropian.

Krahas “tokave problematike”, Borrell ka përmendur edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, ranë dakord për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja ishte ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë detyrimin e saj ligjor dhe të zbatojë atë pa vonesa. Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara”, thekson në përgjigjen e tij Borrell.

Por, edhe Parlamenti Evropian, në një raport të tij të publikuar në korrik, e kishte përmendur çështjen e Manastirit të Deçanit.

Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokat e Manastirit të Deçanit është trajtuar në Rezolutën e miratuar nga PE më 6 korrik.

Në fakt, nuk ka asnjë risi në këtë kontekst. Ajo çfarë është shkruar në Rezolutë, është gjuhë e njëjtë e përsëritje e raporteve ndërkombëtare të mëparme.

Dhe si zakonisht, Parlamenti Evropian i ka kërkuar respektimin e vendimit të Kushtetueses, që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë e parcelave të tokës.

“I kërkon qeverisë që t'i adresojë shqetësimet në mënyrë të duhur dhe të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për dhënien e parcelave të tokës Manastirit të Visoki Deçanit; është i shqetësuar se autoritetet ende nuk e kanë zbatuar këtë vendim gjyqësor, duke minuar kështu angazhimin e qeverisë për të zbatuar sundimin e ligjit dhe respektimin e saj për një gjyqësor të pavarur, si dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit; nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; i bën thirrje qeverisë të zbatojë një qasje joselektive ndaj konceptit të shtetit të së drejtës”, shkruhej në raport.

Blinken interesohet për tokat

Antony Blinken, sekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte interesuar për tokat e Manastirit të Deçanit edhe gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani.

Këtë e kishte konfirmuar vetë shefja e shtetit, Osmani, duke thënë se çështja e tokave ishte biseduar në kontekstin e respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kurse sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit është shtruar në kontekstin që gjithnjë e keni dëgjuar edhe më herë nga ana e palës amerikane – në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani në konferencën për media pas kthimit nga Amerika.

Kujtojmë që në vazhdimësi SHBA kërkon respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke insistuar në dhënien e disa hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

Lajme të ngjashme