Punëtorët fizikë mezi presin liberalizimin: Meniherë kena me shku, me fëmijë e me familje - NACIONALE

Punëtorët fizikë mezi presin liberalizimin: Meniherë kena me shku, me fëmijë e me familje

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Më 13 tetor zë vend mbledhja e radhës e Këshillit të Evropës dhe, përsëri, tema e liberalizimit të vizave për Kosovën është në rend të ditës dhe përsëri shpresat janë të mëdha që ajo të ndodh - do të qëndrojnë apo do të largohen punëtorët fizikë nëse qarkullimi i lirë merr dritën e gjelbër?

Liberalizimi i vizave nuk nënkupton të drejtën e largimit me qëllime shpërnguljeje të përhershme me të drejtë pune. Jo, është e nënkuptueshme se kemi të bëjmë me të drejtën e udhëtimit të lirshëm për një kohë të caktuar brenda asaj që njihet si zona "Schengen".

Liberalizimi i vizave, me pak fjalë, nënkupton lëvizjen e lirë të udhëtimit për 90 ditë (çdo gjashtë muaj). Benefitet e të drejtës së punës nuk përfshihen.

Sidoqoftë, kjo duket se nuk do të luajë rol të madh te qytetarët apo shtresa e punëtorëve fizik.

Shkova me kamerë e mikrofon te ajo që njihet "Rruga e Zallit" në Prishtinë, për të kuptuar më shumë rreth qëllimeve të tyre në një skenar liberalizimi vizash.

Ishte jashtëzakonisht e vështirë të siguroja ndonjë prononcim. Hezitonin e madje kërkonin edhe para për të folur. Normalisht, e vështirë të fajësohen. Aty gjendeshin për një meditje, të cilën e kërkonin dhe e dëshironin në çfarëdo lloj forme që mund ta siguronin.


Pas shumë e shumë diskutimeve, njëri pranoi të fliste.

"Nëse i liberalizojnë vizat, a ki me nejtë n'Kosovë a ki me shku?"
Ishte pyetja ime.

"Ja, ko me shku në ndonjë shtet, Gjermani a dikun, ku t'muj",
tha ai, siç mund ta shihni e dëgjoni në videon e përgatitur më poshtë.

"Atje (planifikoj me punu) punë krahu qështu diçka"
, u shpreh ai.

Pas tentativave të dështuara për të siguruar ndonjë prononcues tjetër nga dhjetëra që prisnin në rrugë për ndonjë punë fizike, vendosa të shkoj në një pjesë tjetër të qytetit.

Ajo që njihet si "Rruga e Markave", afër "Tregut të Gjelbër" ishte destinacioni i radhës.

Aty hasa në disa persona që ishin paksa më të vullnetshëm të flisnin.

"Ja more, çfarë t'nejtni këtu",
u shpreh njëri.

"Ku t'mujmë (me shku). Me punu çka t'gjajmë. Këtu s'ka kurrgjë. S'nxjerrim kurrgjë, po çfarë t'nxjerrni këtu. A pe sheh, gjithë ditën rrimë".


I njejti po tregonte se nuk e ka askë në perëndim, por do të bënte për punë çkado që do t'i ofrohej.

"Ja, ja, hiç. Se kam kërkond edhe shkoj me punue çka t'gjaj".


Pak metra më poshtë, njëri kishte dalë me kamion duke i shtuar vetes gjasat për angazhim nga ndonjë qytetar. Ai ofronte, përveç punës fizike, edhe mjet transportues të gjësendeve.

"Me shkue (nëse liberalizohen vizat) se këtu po dihet çfarë papunësie është. Çfarë krize është. Me shku, pa marrë parasysh, se zgjedhim na. Veç me ikë prej qituhit. Me punu çka t'ka. 700 herë e kena ma mirë.

"Këtu po dihët, kriza, rroga s'ka, kurrgjë s'ka".


Derisa po e intervistoja transportuesin, një tjetër vullnetar u afrua për të zbuluar nga ndjesitë e tij.

"Me shku ku t'mujna dikund në botë. Në Gjermani, Francë, Itali, Zvicër. Me punu çka t'ka nevojë. Ndërtimtari, punë fizike, çka t'ka nevojë. Edhe kështu me kompjutera.

"Gjithë ditën rrina këtu, n'mujshim mi nxjerrë 20 euro. Na bjen me punu punë të rona, fizike. Ndërtimtari, me bajtë, me ngarku, me shkarku".


Për më shumë, shikoni videon më poshtë.

Lajme të ngjashme