Një 30 vjeçar i papunë më 2005 ‘çoi peshë’ Kosovën: Kush janë 30 vjeçarët e sotëm? - NACIONALE

Një 30 vjeçar i papunë më 2005 ‘çoi peshë’ Kosovën: Kush janë 30 vjeçarët e sotëm?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“Një ekzistencë “e papunë” është një mohim më i keq i jetës se vetë vdekja!” - Jose Ortega y Gasset.

Në vitin 2005, Kosova kishte shumë 30 vjeçarë të papunë. Por, njëri prej tyre ishte më ‘i papunë’ se të gjithë të tjerët. Ai nuk kishte bile as përvojë pune, as ambicie për karrierë në fushën që e kishte studiuar, e as kualifikim adekuat. Për më tepër, kishte pasur fëmijëri të privilegjuar duke qenë i biri i funksionarit të një sistemi tashmë të rrënuar, gjë që do ta përkeqësonte përjetimin e rrethanës së re. Emri i tij ishte Albin, e mbiemri Kurti. Ndoshta nga frika e tregut të punës, nga frika për të ardhmen e tij, Albini 30 vjeçar iu rrek politikës.

Kosova tash e shtatë-tetë vjet jeton brenda mendjes së atij 30 vjeçari të vitit 2005. Por, qysh është puna me 30 vjeçarët e sotëm?

200 mijë aplikimet për viza pune në Gjermani përgjatë katër muajve të parë të vitit 2022 mund të na thonë diçka, por jo gjithçka për çështjen. Prandaj, ishte e udhës të shihnim disa numra të rëndësishëm nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 (fatkeqësisht, regjistrimi që ishte paraparë të mbahej më 2021 është shtyrë).

30 vjeçarët e sotëm janë ata persona që në vitin 2011 ishin 19 vjeçarë, ndërsa 30-shin shpejt do ta prekin edhe ata që i kishin 15, 16, 17 dhe 18 vjet. Prandaj, grupmosha në shqyrtim është ajo mes 15 dhe 19.

Kësaj grupmoshe në atë kohë i takonin saktësisht 174 mijë e 932 persona. Prej tyre, saktësisht 19 vjet i kishin 34 mijë e 917 persona.

2011

Sipas statistikave, 4 mijë qytetarë të asaj grupmoshe veçse ishin të martuar. E këto martesa kishin prodhuar edhe 28 qytetarë që pritet t’i mbushin 30, e që qysh atëherë ishin vejanë. 29 të tjerë veçse ishin shkurorëzuar.

Statistikat në lidhje me perspektivën ekonomike të kësaj grupmoshe nuk flasin shumë, por megjithatë thonë diçka. Edhe pse mosha e punës për 30 vjeçarët në ardhje sapo ishte mbushur (e për shumicën, ende s’ishte mbushur), 164 prej tyre në vitin 2011 ishin pensionuar nga puna.

Për ta parë në perspektivë, numri më i madh i pensionistëve ishte ai pas moshës 65 vjeçare ndërsa edhe 30-34 vjeçarët e asaj kohe – edhe pse ishin drastikisht një fuqi më e madhe në tregun e punës - kishin pasur më pak të pensionuar (120).

Dembeli? Mund të jetë një sinjal që të çon në këtë përfundim, por megjithatë gjithçka do të kuptohet nga regjistrimi i ri i popullsisë.

Një tjetër shqetësim për grupin që sapo është bërë apo që pret të mbërrijë shpejt 30-shin mund ta shprehin edhe disa numra tjerë që tregojnë raportin seksor: nuk do të ketë gra për të gjithë. Mungojnë gjithsej 6120 gra në mënyrë që raporti mes sekseve të jetë i barabartë. Për ata që ende s’po e kuptojnë: grupmosha 15-19 kishte mbiprodhuar djem.

Për më keq, as grupmoshat fqinje (20-24, 25-29 apo edhe 10-14) kishin numër ndjeshëm më të lartë qytetarësh të seksit mashkullor.

Shqetësimi i radhës vjen nga raporti mes urbanes dhe rurales. Gati dyfishi i banorëve nga mosha 15 e deri në moshën 19 vjeçare banonin nëpër fshatra. Që të jemi precizë, 111 mijë e 687 ishin banorë nëpër fshatra ndërsa 63 mijë e 245 banonin nëpër qytete të Kosovës.

Marrë parasysh trendin për migrim të brendshëm - nga fshatrat që po shpopullohen për shkak të vështirësive ekonomike prej qyteteve - atëherë pritet që numri i qytetarëve që do të kenë telashe me strehimin e përballueshëm të rritet ndjeshëm.

Më shumë albinkurta?

Duhet thënë që megjithëse viti 2011 është vetëm 11 vjet larg, gjërat kanë ndryshuar sa një çerek-shekulli ose edhe më shumë.

Në atë kohë, 110 mijë nga 297 mijë familjet kosovare do të deklaronin se nuk kishin fare as kompjuter. Qasja në internet kishte po ashtu një shtrirje më të vogël. Kjo bën që grupmosha në fjalë të ketë pasur më pak mundësi informacioni mbi jetën e moshatarëve të tyre në vende tjera të botës. Përveç emancipimit, kjo mund të ketë çuar në lindjen e më shumë familjeve, më shumë personave që jetojnë vetëm, më shumë shkurorëzimeve e kështu me radhë.

Një tjetër rrethanë rënduese që mund të na çojë drejt një situate të pakëndshme, është edhe njohja ‘virtuale’ e botës.

Nga grupmosha në fjalë, 71 mijë e 165 qytetarë kishin deklaruar se e flisnin gjuhën angleze. Pra, gati çdo i dyti qytetar që sapo është bërë apo pritet të bëhet shpejt 30 vjeçar në Kosovë e njeh këtë gjuhë. Sa për ta theksuar një gjë të tillë, grupmosha 30-34 në atë kohë i kishte vetëm 26 mijë e 245 anglisht-folës ndërsa grupmosha 40 deri në 44 i kishte 14 mijë e 771.

Nëse marrim për të mirëqena fjalët e filozofit spanjoll Jose Ortega y Gasset se “një ekzistencë e papunë është mohim më i keq i jetës se sa vetë vdekja” atëherë mjerimi social që mund të prodhohet nga grupmosha në fjalë vitet në vijim mund të jetë shumë i madh për vendin tonë të vogël.

Lajme të ngjashme