Çka bën Kurti në Norvegji? Në vizitën e fundit për të cilën njoftoi popullin gati sa s'e 'përzunë'
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme (të paktën vetëm dje) ka qenë në Oslo të Mbretërisë së Norvegjisë derisa në Kosovë kishte mbërritur Gabriel Escobari, Përfaqësuesi i ShBA-së për rajonin tonë. Por, çka bën Kurti në Norvegji?
Nacionale shpërndau një video të Kurtit nga aeroporti i Osllos të siguruar nga disa qytetarë. Sipas burimeve, Kurti do të nisej në atë moment për në Shkup, që më pas të mbërrinte në Prishtinë për mbledhjen e Qeverisë gjatë ditës së sotme.
Kryeministri nuk ka raportuar asnjë vizitë zyrtare në Mbretërinë e Norvegjisë, ndërkohë që është larguar nga vendi prej datës 17 gusht (një javë më parë) për të shkuar fillimisht në Bruksel.
Bashkëshortja e kryeministrit Kurti, znj. Rita Augestad Knudsen, ka një apartament në kryeqytetin e këtij shteti por nuk dihet nëse jeton në të apo e përdor vetëm për pushime.

Po ashtu, nuk dihet nëse vajza e çiftit Kurti-Knudsen është duke u shkolluar në Prishtinë apo në Osllo të Norvegjisë, por opozita e vendit vazhdimisht e ka kritikuar Kurtin duke deklaruar se "ka se ku të ikë" në rast se destabilizohet Kosova.
Ajo që dihet është se Kurti tashmë është banor i lagjes Taslixhe në Prishtinë, i strehuar në një shtëpi të madh me qera e të cilën e paguan nën vlerën e tregut, me vetëm 250 euro në muaj.
Po ashtu, vizitat e Kurtit drejt Norvegjisë mbeten ende mister për opinionin publik, megjithëse vizitat e tij në shtete të tjera kanë qenë të shpeshta dhe janë kritikuar se ishin “të pafrytshme”.

Një vizitë që shkoi 'keq'
Kurti kishte shkuar për vizitë në Norvegji edhe në fund të muajit mars (29 mars). Ajo mund të ishte më shumë se vizitë zyrtare, por të paktën dihet se ishte vizitë zyrtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës ishte takuar me homologun e tij norvegjez, Jonas Gahr Støre-n dhe më pas Zyra e Kryeministrit kishte lëshuar një komunikatë.
Fatkeqësisht, kjo komunikatë nuk po thoshte gjithë të vërtetën me atë që kishte ndodhur me takimin e Kurtit në Norvegji. Kjo pasi, kryeministri i Norvegjisë ishte shprehur më pasi zhgënjyer me një vendim të kryeministrit tonë në lidhje me zgjedhjet serbe të 3 prillit.
“Nuk mund ta marrim stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si të garantuar. Sfidat e pazgjidhura nga vitet ’90 mund t’i vënë zjarrin rajonit pësëri,” kishte thënë fillimisht z. Støre.
Por, kritikat më të ashpra do të vinin më pas, kur ishte folur më specifikisht për rastin:
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova këtë takim për të shprehur zhgënjimin që Kosova nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill, sipas mënyrës se si ishin mbajtur zgjedhjet e kaluara,” – kishte deklaruar z. Støre.
Kurti: I kam kallëzuar Escobarit se ku po shkoj
Vetë kryeministri Kurti foli sot për vizitën e tij në Norvegji në kohën kur Escobar ishte në Kosovë.
“Kam qenë jashtë vendit, jam kthyer sot në mëngjes në orën 02:30, pra s’kam mundur që të takohem dhe Escobar e ka ditur prej Brukselit ku po shkoj, dhe e ka ditur që nuk do të jem kur ai do të vijë, por do të takohemi sot. Një ditë më herët, apo një ditë më vonë, nuk besoj që luan rol,” – u shpreh sot z. Kurti.
Znj. Rita Augestad Knudsen dihet se ka punuar për një periudhë si hulumtuese në organizatën norvegjeze NUPI brenda një grupi hulumtues të specializuar për anti-terrorizëm dhe anti-radikalizëm.

