Escobar në Prishtinë, Kurti në Mbretërinë norvegjeze (Video)
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron në Kosovë. Por, kreu i Qeverisë, Albin Kurti nuk ishte këtu sot për ta pritur në vizitë. Gazeta Nacionale ka siguruar pamje të shefit të ekzekutivit në Oslo të Norvegjisë, derisa po nisej për në Shkup.
Kurti nuk është parë në Kosovë prej para të enjtes, kur edhe mbajti një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Prej atëherë, u raportua se kryeministri po qëndron në Bruksel edhe për disa ditë, ani pse nuk pati asgjë të konfirmuar, sidomos nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk dha shumë detaje as nga takimi.
Kryeministri ka qenë për vizitë në Oslo të Norvegjisë, kjo shihet edhe në një video të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, ku kryeministri shihet duke bërë “selfie” me dikë.
Burime të gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se Kurti është nisur për në Shkup, derisa pritet që të mbërrijë në Kosovë. Nesër në orën 10:00, ai pritet që t’u drejtohet ministrave të tij në një mbledhje të Qeverisë.
Duhet kujtuar se bashkëshortja e z.Kurti, Rita Knudsen, është me origjinë nga Mbretëria e Norvegjisë dhe besohet se jeton në atë shtet.
Ajo ka punuar për një kohë të gjatë edhe në Republikën e Kosovës.
Escobar në Kosovë
Pasditën e sotme, në zyrën e saj, emisarin Esobar e priti presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. I pari nuk foli për media rreth takimit, ndërkaq presidentja dha detaje rreth asaj që u diskutua.
“Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike”, ka thënë tutje Osmani.

Vizitën e cila vjen para 1 shtatorit, nën zërat se mund të ketë tensione sërish në veri, Escobar e vazhdoi në një takim me krerët e partive opozitare në vend, PDK, LDK e AAK.
Gazeta Nacionale që raportoi për fillimin e takimit, pasi burimet tona konfirmuan se darka u organizua në rezidencën e ambasadorit amerikan në vendin tonë, Hovenier.
Deri më tani, asnjë nga palët nuk është deklaruar për atë që është folur në takim.
Mungesë detajesh
Po bëhen gati një javë që nga mbajtja e takimit Kurti-Vuçiq, kurse Qeveria e Kosovës ka dhënë shumë pak detaje, për negociatat që zgjatën rreth pesë orë.
Qeveria e Kosovës ka lëshuar vetëm një komunikatë për medie, ku ka treguar temat e diskutuara në takim.
“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Këto detaje, po shpresojmë që t’i marrim nesër paradite, pasi rreth orës 10:00, kryeministri pritet që t’u drejtohet ministrave të Qeverisë së tij dhe të flasë rreth kësaj çështje. Kështu të paktën, ka konfirmuar zëdhënësi Përparim Kryeziu.

"Lidhur me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti do të flasë këtë të mërkurë në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar”, ka thënë Kryeziu
Pas takimit, shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell pati një pamje gati dëshpëruese, derisa konfirmoi se nuk u arrit ndonjë marrëveshje për reciprocitetin me targat dhe dokumentet serbe.
“Diskutimet do të rifllojnë në ditët në vijim. Ka kohë deri më 1 shtator. Unë nuk do të dorëzohem. Nuk ka marrëveshje ditën e sotme. Nuk do të dorëzohemi. Do të kërkojmë zgjidhje. Ky diskutim do të vazhdojë. Në përmbyllje të takimit, ua bëra të qartë të dy liderëve, se anëtarësimi në BE duhet të mbetet synimi përfundimtar që kanë dy liderët”, tha Borrell.
Ndërkohë, pala serbe ka mbajtur disa konferenca për media dhe adresime publike për këtë takim. Menjëherë pas përfundimit të takimit në Bruksel, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq ka mbajtur një konferencë për media, ku është munduar ta fajësojë Kosovën për dështimin e marrëveshjes.
Më pas, në mbrëmje, presidenti serb Aleksander Vuçiq i është drejtuar qytetarëve serb me një video në profilin e tij në “Instagram”, ndërsa dje Petkoviq sërish ka mbajtur një konferencë për medie ku ka prezantuar detaje të bisedimeve në Bruksel.

