Qeveria heshtë për takimin Kurti-Vuçiq, opozita kërkon detaje për takimin pesë orësh
Kanë kaluar dy ditë që ka ndodhurtakimi i tretë në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq dhe Qeveria e Kosovës ka dhënë shumë pakë detaje për takimin, i cili ka zgjatur rreth pesë orë.
Derisa pala serbe ka mbajtur disa konferenca për media dhe adresime publike për këtë takim, pala kosovare ka lëshuar vetëm një deklaratë për medie ku tregon se janë diskutuar dy tema.
Menjëherë pas përfundimit të takimit në Bruksel, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq ka mbajtur një konferencë për media, ku është munduar ta fajësojë Kosovën për dështimin e marrëveshjes.
Më pas, në mbrëmje, presidenti serb Aleksander Vuçiq i është drejtuar qytetarëve serb me një video në profilin e tij në “Instagram”, ndërsa dje Petkoviq sërish ka mbajtur një konferencë për medie ku ka prezantuar detaje të bisedimeve në Bruksel.
Versionin e tij për takimin e ka dhënë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josef Borrel, i cili e ka ndërmjetësuar takimin Kurti-Vuçiq.
Deri me tani para publikut nuk ka dalë për të treguar se çka është biseduar vetëm pala kosovare.
Qeveria e Kosovës ka lëshuar vetëm një komunikatë për medie, ku ka treguar temat e diskutuara në takim.
“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Sipas kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, Serbia ka pasur dy propozime në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak.
“Pala jonë dje ka dalë me dy propozime sa i përket lirisë së lëvizjes, pra se si të gjendet një zgjidhje para 1 shtatorit, sepse për atë kohë Kurti paralajmëron zbatimin e reciprocitetit me vendime të dhunshme”, ka thënë Petkoviç, gjatë një konference për media në Beograd.
Ai ka fajësuar palën kosovare për mungesë gatishmërie për të arritur marrëveshje.
“Serbët që jetojnë në Kosovë nuk janë serbë që udhëtojnë transit në një vend të tretë. Destinacioni përfundimtar i serbëve që jetojnë në Kosovë nuk është Shqipëria, Maqedonia e Veriut, por pragu i tyre. Siç e ka imagjinuar Kurti, serbët që kanë jetuar gjithmonë në Kosovë dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre është dashur që pas 90 ditësh të largohen nga territori i Kosovës për të marrë sërish atë letër, gjë që është krejtësisht e papranueshme. Ne nuk pranojmë që dikush të shkel marrëveshjet, duke poshtëruar popullin serb. duke krijuar probleme sigurie”, ka deklaruar Petkoviq.
Opozita kërkon transparencë
Subjektet opozitare kanë kritikuar Qeverinë për mostransaprencë në këtë proces. Përfaqësuesit e këtyre partive kanë thënë se qeveria duhet të tregoj detaje se çka është biseduar në këtë takim.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë se qeveria nuk ka tregua asnjë detaj për këtë çështje.
“Është e domosdoshme që Qeveria të sigurojë koordinim të vazhdueshëm me SHBA, BE dhe NATO për të parandaluar çfarëdo mundësie për dhunë dhe bllokimin e lirisë së lëvizjes. Në të njëjtën kohe, ftojmë Qeverinë dhe KM që të rris transparencën rreth dialogut. Është mëse e rëndësishme që të shpalosen detajet e bisedimeve të djeshme në Bruksel, si dhe planet e qeverisë për të shtyrë procesin përpara”, ka shkruar Abdullahu në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, qëndrimi i PDK-së ndaj dialogut të Brukselit nuk ka ndryshuar. “Qëndrimi i PDK për dialogun mbetet i pandryshuar. Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të angazhohet se bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë e posaqerisht SHBA dhe BE në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila siguron njohjen e ndërsjellë, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, është shprehur ai.
Edhe zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar se çfarë u bisedua në takimin e Brukselit.
“Imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit nuk janë aq të mjaftueshme për të konkluduar çfarë në të vërtetë u bisedua në takimin e Brukselit. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet në të njëjtat qëndrime për sa i përket dialogut; ruajtja e integritetit territorial, si dhe njohja nga Serbia mbeten parime qenësore”, ka thënë ajo për gazetën Nacionale.
Ajo ka thënë se VV-ja mbetet në nivelin më të lartë të mostransparencës.
“Kjo qasje, përpos që po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët lidhur me përmbajtjen e agjendën e dialogut, partisë në pushtet po i krijohet mundësia të shtrijë gjuhën propaganduese të militantëve për tifozllëk që të mbulojë paaftësinë qeverisëse”, ka thënë ajo.
Kurse, ish-kryenegociaatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se qeveria nuk duhet t’i mbaj fshehtë diskutimet që janë bërë në Bruksel. “Tashmë u kuptua se bisedimet dje në Bruksel janë bërë kryesisht rreth marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Tani është koha e unitetit dhe nuk duhet mbajtur fshehte këto gjera, dhe se qeveria duhet të marrë masat e duhura. Interesat kombëtare dhe vijat e kuqe mbrohen me aftësi dhe unitet”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në “Facebook”.
Ambasada amerikane në Beograd lavdëron Vuçiqin për dialogun
Derisa ambasada e ShBA-së në Prishtinë nuk ka bërë ndonjë reagim për takimin e Brukselit, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka lavdëruar rolin e Serbisë në këtë takim.
Në një video-adresim të tij, të publikuar dje në Twitter nga Ambasada amerikane në Serbi, Hill se Serbia kishte frymën e duhur gjatë dialogut me Kosovën në Bruksel.
“Mendoj që kemi shumë çështje të përbashkëta që mund të punojmë. Jo gjithçka që bëjnë SHBA-ja dhe Serbia duhet të lidhen me Kosovën. Ne duhet të punojmë shumë në çështjen me Kosovën, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, por mendojmë që ka edhe çështje tjera që mund të punojmë me Serbinë dhe jam shumë i inkurajuar nga ajo që pash dje”, ka thënë Hill.
Sipas diplomatit amerikan, në takimin e 18 gushtit kishte shumë diskutime dhe negociata.
“Të gjithë jemi disi të dëshpëruar që nuk mund të zgjidhnim çështjet në periudha afatshkurta apo afatgjate, por mendoj që kishte zhvillime pozitive”, është shprehur ai.
Kurse, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë rundit të ri të dialogut të mbajtur më 18 gusht në Bruksel.
Por, sipas tij, palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim. “Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, ka deklaruar Borrell.
Takimi i tretë i Brukselit është realizuar tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.