Mbyllet takimi mes Escobarit dhe opozitës kosovare
Ka përfunduar takimi mes emisarit të posaçëm të presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe opozitës kosovare.
Ka qenë Gazeta Nacionale që raportoi për fillimin e takimit, teksa duke u thirrur në burime, gazeta mësoi se takimi, respektivisht darka u organizua në rezidencën e ambasadorit amerikan në vendin tonë, Hovenier.
Takimi me Osmanin
Gjithashtu, ai është pritur edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Sa i përket takimit me presidenten, një nga njerëzit më të fuqishëm të administratës aktuale në ShBA nuk u prononcua fare për media, ndërsa Osmani shtoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara do të jetë qenësor.
"Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike.Partnetiteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor".
Agjenda
Këto takimet janë në kuadër të angazhimeve të emisarit rreth marrëveshjes potenciale para 1 shtatorit, pra fillimit të zbatimit të reciprocitetit.
Escobar, bashkë me Lajçak, përveç në Kosovë do të qëndrojnë edhe në Serbi.
Synim i tyre është bindja e palëve të të gjejnë akordin e shumëpritur nga ndërkombëtarët.
Kujtojmë , Escobar e pat përmendur edhe në Bruksel çështjen e Asociacionit, duke specifikuar faktin se i njëjti duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës.
Sipas qarqeve diplomatike kosovare, Asociacioni po del të jetë "pika e ndarjes" mes palëve drejt marrëveshjes përfundimtare me në qendër njohjen reciproke.
Nacionale do t'ju raportojë në kohë reale për çdo risi eventuale nga ky rast dhe jo vetëm.


