"Opozita e Bashkuar" i shkon Escobarit në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë
Opozita e bashkuar, përfshirë nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, si i pari i AAK-së, veçse janë në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Hovenier.
Kështu ka mësuar Gazeta Nacionale nga burime të sigurta.
Tutje bëhet e ditur gjithashtu se rreth objektit janë parë forca të shtuara të Policisë.
Kujtojmë gjithashtu se pak çaste më parë, Gabriel Escobar përfundoi takimin e paraparë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Duhet përmendur faktin se takimet janë pjesë e agjendës së emisarit të presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor, me këtë të fundit që zbarkoi në vendin tonë, një javë para fillimit të zbatimit të reciprocitetit.
Jo vetëm, BE-ja, ShBA-ja tash e sa kohë e ka potencuar faktin se dialogu mes Kosovës e Serbisë është shumë i rëndësishëm, andaj po angazhohen maksimalisht për një zgjidhje.
Një e tillë mund të arrihet për çështjen e targave, pak ditë para 1 shtatorit, ditës kur edhe zyrtarisht pritet të hyjë në fuqi vendimi i paralajmëruar për të nisur 23 ditë më parë, por që me kërkesë decidive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shtye për një muaj.
Takimi me Osmanin
Sa i përket takimit me presidenten, Escobar nuk u prononcua fare për media, ndërsa Osmani shtoi se partneriteti me ShBA-në do të jetë qenësor.
"Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike.Partnetiteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor".
Nacionale do t'ju raportojë në kohë reale për çdo risi eventuale nga ky rast dhe jo vetëm.

