Ikja e të rinjve, UP ka 14 mijë studentë më pak se para 10 viteve - NACIONALE

Ikja e të rinjve, UP ka 14 mijë studentë më pak se para 10 viteve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndikimi i emigrimit të të rinjve nga Kosova tashmë po vërehet në shumë sektorë të ndryshëm në vend. E ndikimet shumështresore kanë prekur edhe institucionet akademike, e posaçërisht Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është bartësi më i madh i arsimit të lartë.

Në dhjetë vitet e fundit ka rënë dukshëm interesimi për të studiuar në UP, ndonëse ky universitet vazhdimisht është konsideruar si i mbingarkuar nga numri i studentëve.

Shumë shpesh e dëgjojmë shakanë e famshme se në Kosovë bëhet makiatot më të mira në botë, ngase ato i shërbejnë të diplomuarit me nivel master. Por shakaja shpërfaq një të vërtetë të hidhur: mungesën e perspektivës së të rinjve në Kosovë.

Ndonëse i diplomuar në drejtimin e gjeografisë, G.M., shok i imi, kurrë nuk iu dha mundësia që të dëshmohej në profesionin për të cilin studioi me mund.

Megjithatë, gjeografi i diplomuar ka hapur një kafiteri modeste në Fushë Kosovë, e ku edhe ai do t'u shërbejë klientëve kafe. Edhe njëri nga të punësuarit në lokalin “Pin”, është një i ri 18 vjeç që nuk ka ndonjë interesim për të vazhduar tutje shkollimin.

E kam kry shkollën e mesme, nuk du me vazhdu me studiu, se menoj që është humbje kohe. Shkoj studioj edhe pas studimeve prapë nashta m’duhet me u kthy me punu kamarier”, më tha Lorik Gashi.

Si ai janë edhe shumë të tjerë anembanë Kosovës. Një gjë e tillë kuptohet nga statistikat e publikuara nga autoritetet shtetërore të vendit.

Vetëm Universiteti i Prishtinës numëron plotë 14 mijë e 110 studentë më pak se para dhjetë viteve të niveleve të studimit bachelor dhe master.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i studentëve në tërësi në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 2011/12 ishte 47 mijë e 70 studentë, ndërsa në statistikat e fundit të ASK-së për vitin 2020/21 në UP janë 32 mijë e 960 studentë.

Ndërkaq, në tërësi në universitete publike në Kosovë studiojnë 46 mijë e 470 studentë, apo 600 më pak se sa kishte vetëm Universiteti i Prishtinës në vitin 2012.

Dëshira për largim dhe mungesa e gjetjes e një vendi të punës në profesion përmenden si arsyet kryesore të mosinteresimit për të studiuar.

Sipas rezultateve të statistikave të Kosovës, në vitin 2021, shkalla e papunësisë shënonte 25.8 për qind, me një papunësi më të theksuar te gratë dhe vajzat prej 29 për qind, krahas burrave dhe djemve me 24.2 për qind.

Sipas statistikave, shkalla më e theksuar e të papunëve është tek grup moshat 15 deri në 24 vjeçare me një statistikë prej 48.6 për qind.

Mirëpo, meqenëse ekonomia kosovare nuk gjeneron mjaftueshëm vende pune, shumë të rinj detyrohen të punojnë diçka tjetër jashtë profesionit që kanë studiuar.

E mijëra të tjerë ‘ëndërrojnë’ të largohen nga Kosova.

Vetëm në katër muajt e fundit, ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar afër 200 mijë aplikime nga kosovarët, të cilët ‘arratisjen’ drejt shtetit gjerman e shohin si dritare për një jetë më të mirë.

Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, uljen e numrit të studentëve e interpreton në një kontekst më pozitiv.

Ai thotë se numri më i vogël i studentëve nënkupton më shumë profesorë për kokë studenti, e cila pastaj mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë në arsim.

‘‘Një numër më i vogël i studentëve do të nënkuptonte më shumë profesorë për student, por që e njëjta të kthehet në përfitim të studenteve, universitetet publike duhet të rikthejnë vëmendjen tek cilësia e arsimit’’, thotë Qehaja për Nacionalen.

Qehaja thekson se ulja e numrit të studentëve mund të ketë një lidhje me orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional.

‘‘Gjysma e të diplomuarve nga shkollimi i mesëm janë nxënës së shkollave profesionale që në kushte normale do të duhej të vazhdonin drejtpërdrejt në treg të punës’’, mendon Qehaja.

Mirëpo, edhe nxënësit që përfundojnë shkollimin në arsimin profesional, ballafaqohen me probleme të dukshme në punësim pas diplomimit.

Sipas një hulumtimi të organizatës ETEA, vetëm 11.4 për qind e nxënësve në vitin 2021 kanë arritur ta gjejnë një vend pune pas diplomimit.

Pra, sipas ETEA-s, saktësisht 88.6 për qind nuk kanë arritur ta gjejnë një punë për të cilën kanë ndjekur mësimet.

Rreth kësaj problematike, ditë më parë ka folur edhe Kryeministri Kurti, i cili numrin e madh të të rinjve që e lëshojnë Kosovën e ka arsyetuar me faktin e mospunësimit të tyre në profilet për të cilat janë shkolluar.

Sipas Kryeministrit, në Kosovë ka vende pune, por shumë të rinj nuk po arrijnë të gjejnë punë në profesionet e tyre.

Përveçse papunësia që është problem tejet i madh në Kosovë, është problem i madh edhe pamundësia e punësimit në profesion. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë që po migrojnë nuk është se nuk kanë vend pune, por nuk kanë vend pune në profesionet e tyre”, ka thënë Kurti në Kuvend.

Kujtojmë që premtimi kryesor i Kurtit gjatë fushatës së vitit 2021 ishte zhvillimi ekonomik dhe punësimi, duke u garantuar të gjithëve meritokraci gjatë punësimit.

Lajme të ngjashme