20-vjetëshi i fundit, Albini dhe Berlini, të pathënat prej ambasadori – Beqë Cufaj shpalos gjithçka te Intervista e Buzhalës - NACIONALE

20-vjetëshi i fundit, Albini dhe Berlini, të pathënat prej ambasadori – Beqë Cufaj shpalos gjithçka te Intervista e Buzhalës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një tjetër episod, një tjetër mysafir i rrallë në televizione, por që gëzon bagazh të shquar prapa vetes.

Kësaj radhe, në Intervistën e Buzhalës është i ftuar ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Për gjeneratat më të reja, Beqë Cufaj është gazetar e shkrimtar me një karrierë të bujshme, shkrimet e së cilit janë publikuar edhe në mediat më prestigjioze gjermane dhe jo vetëm, ndërsa së fundi shërbeu si diplomat.

Te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale ai shpalosi shumëçka nga rrugëtimi i tij politik, përvoja e fituar e të arriturat, ndërsa nuk la pa komentuar as situatën momentale politike.

“Fakt është që pas largimit nga posti i ambasadorit, kam vazhduar të jetoj me familjen në Berlin. Kam një biznes të vogël. Sa i përket 20-vjeçarit, unë nuk mendoj se është reale të thuhet ashtu. Përkundrazi, Kosova në 20 vitet e fundit ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. Kosova është një storie suksesi. Kosova është një projekt i madh i Perëndimit", tha fillimisht Cufaj.

Tutje, ai kundërshtoi deklaratat për "karrem politik" rreth 20-vjetëshit të fundit në vendin tonë.

Pra, Cufaj, siç tha, kushdo që mendon se Kosova është rrënuar përgjatë këtyre dy dekadave, është mirë të shikojë se si ka qenë para kësaj epoke.

"Kushdo që thotë se Kosova është rrënu përgjatë 20 viteve të fundit, i kisha preferu ta kujtojë Kosovën e para 20 viteve.Mendimi juaj për 20 vitet e fundit: Ti e di që unë nuk jam shumë i teorive konspirative. Por, mendoj që është produkt i spinëve. I spin doktorëve, sepse çdo gjë që bëhet në fushën e politikës, prapa qëndrojnë njerëz që hartojnë strategji, për formacione të caktuara politike, për lëvizje të mëdha.

Ne duhet të nisemi nga një premisë dhe ta shikojmë Kosovën kështu. Kur kanë ngjarë në Kosovë lëvizjet e mëdha?, dhe çka thotë mjekësia, çka thotë biologjia, çka thotë antropologjia...shkenca thotë që në të gjitha fushat e lartëcekura, çdo ndryshim i madh, përcaktohet me atë që thuhet: gjeneratat ndërrojnë pas 20 viteve", vazhdoi ai.

Veç kësaj, ish-ambasadori kujtoi edhe epokën e negociatave në Vjenë, duke thënë se qenë shumë të vështirë, por që në fund sollën Pavarësinë.

“Procesi i Ahtisaarit nuk ka qenë i lehtë. Negociatat në Vjenë që kanë zgjatë. Edhe sërish dolëm si shtet”.

Ndërkaq, rreth zërave se Berlini ka mbështetur Albinin për kryeministër, vlerësoi se në politikë, ose në diplomaci nuk ka projeksione të tilla. Pra, është e pamundur të thuhet që një Berlin ta mbështes një Albin, ose një Uashington, një Vjosë.

“Shpeshherë dëgjoj, më thonë, Berlini e ka mbështetë Albinin, ose ku di une, Amerika e përkrahë Ibrahim Rugovën...Tash ne jemi në një situatë, si ta them, është naive me mendu që një Albin e përkrahë një Albin, një Uashington një Vjosë ose një Buzhalë ose një Cufaj”.

Tutje, vet ai deklaroi se sa ka qenë në profesionin e gazetarit ose të vëzhguesit i ka parë disa gjëra më ndryshe, ndërkaq në cilësinë e ambasadorit disa gjëra i ka parë më të detajuara.

Në pjesën e fundit, Cufaj dha detaje rreth gjendjes momentale politike në Gjermani, vendi ku edhe jeton e vepron momentalisht.

“Gjermania më kurrë nuk do të jetë Gjermania që ka qenë. Sa do të rritet dhe si do të rritet, nuk e dimë. Por, një gjë e di që Gjermania ka mekanizma të jashtëzakonshëm, për atë që quhet vetkontroll i demokracisë. Mirëpo fakti që vetëm dy javë pasi fillon lufta e Putinit kundër Ukrainës, del kancelari Scholz dhe thotë se nga sot për ushtrinë gjermane do t’i vëmë në dispozicion 100 miliardë euro, atëherë do të thotë se është zgjuar edhe një gjigant në atë fushë".

Sa i përket dokumentit franko-gjerman, Cufaj nuk preferoi ta quajë të tillë, pasi sipas tij, çdo gjë po bëhet në koordinim me ShBA-të dhe telefonatat e Blinkenit për kryeministrin Kurti e Vuçiqin, janë dëshmia më e mirë.

"Unë nuk do t’i thoja franko-gjerman, sepse vet fakti se si sekretari Blinken e telefonin kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq një natë para se të vijë Lajçak në Prishtinë dhe Beograd, flet për atë se ky projekt është i përbashkët. Është europian dhe amerikan", përfundoi ai.

Lajme të ngjashme