Zgjidhet ngërçi, Bayerni pranon ofertën e Barcelonës për Lewandowskin - NACIONALE

Zgjidhet ngërçi, Bayerni pranon ofertën e Barcelonës për Lewandowskin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

E ardhmja e Robert Lewandowskitu shndërrua në një telenovelë që s'i shihej fundi. Por, ka dritë në fund të tunelit. Bayern u dorëzua. Sulmuesi polak do t'i bashkohet Bacelonës.

Në tre muaj, protagonisti kryesor i të gjitha gazetave sportive ndërkombëtare ishte Robert Lewandowski. Sulmuesi, i cili pas në fund të gushtit do ta festojë ditëlindjen si 34-vjeçar, e dëshiroi me çdo kusht kalimin te Barcelona.

Shumë peripeti u shënuan ndërkohë, por gjatë orëve të vona të natës së mbrëmshme, ishte eksperti i transferimit të lojtarëve, Gianluca Di Marzio, ai që dha lajmin e shumëpritur për tifozët blaguranë: Robert Lewandowski te Barcelona, çështje e kryer.

Shifrat e marrëveshjes

Sado që arritja deri në një gjuhë të përbashkët mes Barcelonës dhe Bayernit u duk e vështirë, me raste edhe e pamundur, ajo në fund ndodhi.

Bavarezët u dorëzuan përballë ofertës së fundit të klubit katalonas, i cili ofroi 45 milionë euro, plus 5 milionë euro tjera bonuse, për të pasur në radhë të veta sulmuesin e spikatur polak.

Siç raporton Gianluca Di Marzio nga Sky Sport Italia, Lewandowski, menjëherë pasi është arritur ujdia, ka pranuar telefonatën e shumëpritur nga agjentët e tij, të cilët ia konfirmuan dritën jeshile për t'iu bashkuar Barcelonës.

Përshëndetja me Bayernin

Sot, Lewandowski do t'i japë lamtumirën e fundit Bayernit. Ai do të ushtrojë i vetmuar nga pjesa tjetër e grupit. Aty do të shfrytëzojë rastin që t'i përshëndesë të gjithë bashkëlojtarët e tij te Bayerni, si dhe drejtuesit tjerë të klubit.

Gjatë mbrëmjes së sotme, sulmuesi 33-vjeç do të udhëtojë për t'iu bashkuar familjes. Këtu merr fund kapitulli i tij me Bayernin.

Madje, ai nuk do të marrë fare pjesë në prezantimin tradicional të skuadrës (Bayern), e cila do të ndodhë nesër.

Përbindësh goli

Për tetë vite sa luajti te Bayern, u shndërrua në një makineri golash, duke u bërë përbindësh goli për çdo mbrojtje kundërshtare.

Në dymbëdhjetë vite qëndrim në Bundesliga, theu shumë rekorde dhe shënoi shumë gola.

Nën urdhrat e Jurgen Klopp, sa ky i fundi ishte trajner i Dortmund dhe po ashtu Lewandowski lojtar i klubit në fjalë, ai shënoi 103 gola në 187 paraqitje, duke qenë vlerë e shtuar për skuadrën.

Bavarezët siguruan shërbimet e tij me parametra zero, pasi i kishte skaduar kontrata me Dortmundin.

Te Bayern sulmuesi 34-vjeç shënoi një epokë. Statistikat e tij ishin të hatashme gjatë tetë sezoneve që luajti me Bayernin. Në 375 paraqitje ai shënoi plot 344 gola, duke iu afruar edhe fitimit të Topit të Artë.

Xavi insistonte që ta kishte në skuadër atë dhe Laporta me drejtuesit tjerë të klubit ia kanë plotësuar një kërkesë të tillë. Që pas largimit të Suarez, skuadra katalonase ka hasur në vështirësi që ta gjejë një prototip sulmuesi që garanton shumë gola.

Afrimi i Lewandwoskit shënon një shpresë për ta se tashmë do ta kenë dikë që ka përvojën, shkathtësinë dhe intuitën e golit - për t'i ndihmuar skuadrës drejt sukseseve të reja, pas një krize jo vetëm financiare që e kaploi viteve të fundit, por edhe identitare dhe në rezultate.

Lajme të ngjashme