ShBA-ja dhe BE-ja prezent në seancën e thirrur nga PDK-ja, mungojnë deputetët e VV-së dhe LDK-së - NACIONALE

ShBA-ja dhe BE-ja prezent në seancën e thirrur nga PDK-ja, mungojnë deputetët e VV-së dhe LDK-së

1 orë më parë

nga NACIONALE

Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe të BE-së sot kanë marrë pjesë sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës janë mbledhur sërish pas kërkesës së radhës për vazhdimin e seancës konstituive.

Edhe kësaj here, në sallë kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata LDK-së.

Pavarësisht mungesës së këtyre deputetëve, ata të PDK-së dhe Aleancës i kanë mbajtur adresimit e tyre të zakonshme nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për sfidat e qytetarëve të Kosovës.

Sot dua të flas për qytetarët që presin zhvillim të politikave për një shërbim më të mirë shëndetësor. Për prindërit që mezi e dalin muajin. Për të riun që kërkon një vend pune me meritokraci. Për bujkun, për punëtorin, për biznesmenin që lufton çdo ditë për ta mbajtur biznesin gjallë dhe me të drejtë pyesin: Çfarë po ndodh me vendin tonë? Dhe përgjigja është e thjeshtë dhe shumë e qartë.Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet. Kosova është marrë peng nga një parti e cila veç mirëqenien e Kosovës nuk e ka në agjendën e saj”, ka thënë ajo, duke dhënë detjae tjera.

Dhe kjo parti e ka lënë vendin sot pa institucione.Kjo parti po luan me besimin tuaj, qytetarë të dashur, dhe po luan me durimin e një populli që ka duruar më shumë se ç’duhet. Por çdo durim e ka edhe një fund.Kosova nuk mund të presë më. Nuk mund të presë që politikanë të papërgjegjshëm të qendrojnë mbi ligj e kushtetutë, ndërkohë që jeta e qytetarëve po shënon regres në çdo ditë dhe në çdo sferë”, është shprehur ajo.

Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.

Tanimë kjo shumicë parlamentare e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik. Gjendja në vend është ka agravon dhe është ka vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe me aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe me aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe që e mban gjallë shtetin, dhe mbi të gjitha, një krizë politike e cila nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë të vendit tonë”, ka thënë ai.

Për mosvazhdimin e seancës, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Avni Deharit, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prania e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe të BE-së në sallën e Kuvendit vjen në një moment kur kriza institucionale po thellohet dhe kur, edhe 20 ditë pas kalimit të afatit kushtetues, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar.

Lajme të ngjashme