Lewandowski shfaqet pa vullnet në fazën përgatitore të Bayernit, refuzon disa urdhra
Ylli polak, Robert Lewandowski, është shfaqur pa asnjë vullnet të vetëm në fazën përgatitore me Bayernin.
Pak para se të përfundonte edicioni i Bundesligës 2021/2022, Robert Lewandowski edhe publikisht bëri të të ditur qëndrimin e tij se nuk e ka ndërmend ta rinovojë kontratën me ekipin bavarez.
Interesimi i Barcelonës e ka joshur tej mase sulmuesin e spikatur polak. Ai po këmbëngul të transferohet në "Camp Nou" me çdo kusht, por po has në një barrierë të madhe: të Bayern.
Klubi gjerman është i vendosur që ta detyrojë sulmuesin për ta respektuar kontratën. Kujtojmë se Lewandowski ligjshmërisht ka edhe një vit tjetër kontratë të vlefshme. Andaj, edhe klubi mund të mos e lë të lirë për t'u transferuar.
Bayern u grumbullua për herë të parë në fazën përgatitore më 11 korrik, respektivisht para dy ditësh. Ndonëse qarkulluan shumë spekulime se Lewandowski nuk do të paraqitej, duke e sabotuar grumbullimin, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Lewandowski respektoi programin e skuadrës, duke u grumbulluar. Sidoqoftë, e përditshmja më e madhe gjermane, Bild, raporton se u vërejt një disponim i mangët tek ai, sa për ta konfirmuar që krisja e raporteve vështirë është të ketë kthim mbrapa.
I pakënaqur, refuzon urdhrat e stafit teknik
Gjithmonë duke iu referuar të përditshmes gjermane, Bild, Lewandowski është shfaqur tejet pa vullnet dhe i pakënaqur në ditët e para të grumbullimit me Bayern.
Pikë së pari, është evidentuar se ka mbërritur me një vonesë të vogël në qendrën stërvitore të klubit. Pastaj, reporterët e afërt me klubin kanë parë që ka qenë i fundit që ka dalë nga zhvështorja për të hyrë në fushë për stërvitjet.
Madje, në një rast Lewandowski është parë duke refuzuar urdhrat e stafit teknik për ta ekzekutuar një penalti.

Shenja të qarta që bëjnë me dije se ai tashmë nuk ndihet pjesë e grupit si më parë dhe se dëshiron me çdo kusht të largohet.
Laporta pozitiv rreth transferimit të Lewandowskit
Gjatë ditës së sotme, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë sërish opinionin e tij në lidhje me transferimin e mundshëm të Lewandowksit.
"Për Lewandowskin jemi duke punuar, duke bërë çdo gjë që është e mundur. Por, nuk është e thjeshtë. Megjithatë, po punojmë mirë", u deklarua shkurtimisht Laporta.

