Sot Serbia dhe Zvicra përballen sërish, në një ndeshje ku rrezikohet rindezja e tensioneve politike
Serbia dhe Zvicra do të përballen sot për të luftuar për vendin e dytë në grup pas Brazilit dhe për një vend në mesin e 16 më të mirëve në Kupën e Botës 2022, në atë që po shihet si një rimeç i përballjes së Botërorit 2018, i cili rrezikon t’i ndezë sërish tensionet politike mes dy ekipeve.
Kameruni, i cili përballet me Brazilin në ndeshjen tjetër të grupit, ka mundësi të përfundojë në vendin e dytë nëse fiton dhe Zvicra e Serbia ndahen baras.
Në përballjen e para katër viteve, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri i pushtuan ballinat botërore, sepse festuan duke e bërë me duar shqiponjën dykrenore (simbol në flamurin e Shqipërisë), kur shënuan të dy për ta mposhtur 2:1 Serbinë në Rusi.

Shaqiri kishte marrë vëmendje ende pa nisur ajo ndeshje, duke e postuar në rrjetet sociale një fotografi të këpucëve që do t’i mbathte gjatë ndeshjes, të cilat ishin të ilustruara me flamurin e Kosovës në të djathtë dhe atë të Zvicrës në të majtë.
Xhaka, i lindur në Zvicër nga prindër shqiptarë të Kosovës, dhe Shaqiri i lindur në Kosovë i festuan golat duke e formuar shqiponjën me duar, një simbol kombëtar shqiptar.
Katër vite më vonë, trajneri i Zvicrës tani Murat Yakin, këmbënguli se Xhaka dhe Shaqiri do të përqendrohen vetëm në futboll dhe se nuk do të ketë asnjë rindezje tensionesh politike mes dy ekipeve kombëtare.
“Ne kemi biseduar shumë herë. Ne jemi të lumtur që nesër do të përqendrohemi në futboll dhe do ta nderojmë njëri-tjetrin”, tha Yakin të enjten në një konferencë për media.
Ai shtoi: “Që prej muajit prill, Federata e Futbollit e Zvicrës, presidenti dhe sekretari i përgjithshëm, si dhe të gjithë u pajtuam se këtu do të flasim vetëm për sport dhe kjo vlen edhe për lojtarët. Ne i respektojmë lojtarët dhe ata po ashtu janë të respektueshëm”.
Edhe vetë Xhaka – i cili kishte kërkuar falje dhe shfaqur pendesë për mënyrën e festimit me shqiponjë – tha dje për mediat italiane se ndeshja me Serbinë do të jetë vetëm një ndeshje futbolli.
“Megjithatë, këtu jemi në Botëror. Mendojmë vetëm për ta kaluar këtë fazë të gripeve. Duhet të jetë vetëm një ndeshje futbolli dhe asgjë tjetër”, tha Xhaka për Correire dello Sport.
Megjithatë, serbët nuk kanë treguar shenja përqendrimi vetëm në futboll në Katar, pasi disfatën e vitit 2018 ua bëri edhe më të hidhur dyshja me prejardhje nga Kosova.
Dy futbollistët Milos Veljkovic dhe Andrija Zivkovic e vendosën një flamur me hartë të Kosovës dhe ngjyrat e simbolet e flamurit serb në dhomat e zhveshjes, përpara humbjes 2-0 ndaj Brazilit të enjten në Katar.
Paraprakisht, ky flamur kishte qarkulluar pranë stadiumit dhe brenda tij nëpër duart e tifozëve serbë, nga ku besohet se dy lojtarët në fjalë e kanë marrë për ta futur në zhveshtore.
Për këtë, FIFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Serbisë.
Lojtarët serbë nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me këtë gjatë konferencave për media.
Zvicrës i mjafton barazimi ndaj Serbisë, me kusht që Kameruni nuk e mposht me një rezultat shumë të thellë Brazilin, për të kaluar në mesin e 16 më të mirëve.
Serbisë i duhet ta mposhtë Zvicrën patjetër dhe të shpresojë se Kameruni nuk fiton me rezultat më të mirë ndaj Brazilit, për të kaluar tutje.
Duke ditur atë që ndodhi më 2018 dhe pasojat më vonë, si dhe emocionet që mund t’i shkaktojë gjendja në grup për një vend në fazën e eliminimit direkt në Katar, ka rrezik për rindezje tensionesh mes Serbisë dhe Zvicrës.

