Xhaka: Kundër Serbisë duhet të jetë vetëm një ndeshje futbolli dhe asgjë tjetër - NACIONALE

Xhaka: Kundër Serbisë duhet të jetë vetëm një ndeshje futbolli dhe asgjë tjetër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori shqiptar që mbron ngjyrat e Zvicrës, Granit Xhaka, ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediet italiane në vigjilje të ndeshjes “finale” ndaj Serbisë. Ai përçoi mesazh që vëmendja të jetë vetëm te sporti.

Një fokus i madh është koncentruar te ndeshja e nesërme që do të zhvillohet mes Zvicrës dhe Serbisë, e që do ta përcaktojë se cila kombëtare do t’i bashkangjitet Brazilit drejt fazës së eliminimit direkt.

Sidoqoftë, Xhaka për “Corriere Dello Sport” u mundua që ta shtensionojë paksa vigjiljen e kësaj ndeshje. Ai u pyet nëse flamuri i Kosovës i ngjyrosur me stemën e Serbisë në zhveshtore para ndeshjes kundër Brazilit do ta ndezë akoma më shumë ambientin, por përgjigja e tij ishte se në plan të parë mbetët vetëm futbolli.

“Megjithatë, këtu jemi në Botëror. Mendojmë vetëm për ta kaluar këtë fazë të gripeve. Duhet të jetë vetëm një ndeshje futbolli dhe asgjë tjetër”, tha ai.

Duke ditur të gjithë atë se çfarë ngjau në vitin 2018 kur këto dy kombëtare u ndeshen njëra ndaj tjetrës në Botëror, me Shaqirin dhe Xhakën që bënë gjestin e shqiponjës, si dhe me tërë reagimin që shkaktoi në kampin serb, e më pas edhe në atë zviceran – sërish kjo ndeshje po shoqërohet me një tension bukur të lartë.

Këto deklarata vijnë disa ditë pasi edhe për mediet helvete ai deklaronte se nuk ka qenë dashur ta bënte gjestin e shqiponjës në ndeshjen ndaj Serbisë në Botërorin e vitit 2018.

Presioni i shtypit zviceran dhe vetë instancave të futbollit ka qenë shumë i madh karshi futbollistëve shqiptarë si Xhaka dhe Shaqiri pasi kishin bërë një gjest të tillë.

Zvicra është zotuar kohë më parë se festime të tilla nuk do të ndodhin më, sepse nuk kanë vend në kombëtaren e tyre dhe në vlerat që përfaqësojnë si komb.

Zvicra një hap afër kualifikimit

Ndërkaq sa i përket ndeshjes së nesërme, asaj kundër Serbisë, kujtojmë se kombëtarja e udhëhequr nga Yakin hyn në fushë me favorin e dy rezultateve: barazimit dhe fitores.

Me një barazim potencial Zvicra do ta siguronte plasimin tutje, kur më pas me shumë gjasë do të ndeshej në 1/16 e finales kundër Kombëtares së Portugalisë.

Në Botërorin e kaluar Zvicra ia dilte mban një caku të tillë, pikërisht duke mposhtur Serbinë, në një ndeshje zjarri, e shoqëruar me shumë kontestime e debat të pafund publik.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në orar të njëjtë me ndeshjen tjetër të grupit, asaj mes Kamerunit dhe Brazilit, më saktësisht në ora 20:00.

Xherdan Shaqiri është e paqartë nëse do të jetë i gatshëm për të luajtur nga minuta e parë, pasi gjendja e tij fizike nuk është akoma në optimumin e vet.

Lajme të ngjashme