Sqarohet serbi Kuzmanoviq: Shaqirin e takoj kohë pas kohe, s’kemi telashe dhe s’e pata përnjëmend nokautin
Ish-përfaqësuesi i Serbisë, Zdravko Kuzmanoviq, i ka tërhequr fjalët se do ta kishte nokautuar Xherdan Shaqirin apo Granit Xhakën për shkak të festimit me shqiponje, duke thënë se nuk ka asnjë telash me ish-bashkëlojtarin e vet kosovar te Interi.
Kuzmanoviq – që dikur e kishte përfaqësuar edhe Zvicrën – kishte thënë në fillim të kësaj jave për një gazetë zvicerane se do t’i kishte nokautuar Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqiri nëse do të luante të premten në përballjen e vendit të tij me Zvicrën në Kupën e Botës, për shkak të festimit të tyre që i tërboi serbët para katër viteve në Rusi.
Megjithatë, i pyetur të enjten nga e përditshmja zvicerane Blick, për ato komente, Kuzmanoviq u sqarua duke thënë se nuk e kishte qëllimin të thoshte se do ta lëndonte ndokënd.
“Mjaft! Natyrisht që nuk e thashë me qëllim që do ta lëndoja dike. Çfarë doja të thosha unë ishte se do të bëja ndërhyrje agresive dhe të jepja gjithçka nga vetja, sepse vërtet dëshiroj të fitoj. Ju më njihni mua: Unë si lojtar nuk jam zmbrapsur kurrë. Kam qenë emocional dhe prapë do të isha”, tha Kuzmanoviq për Blick.
Kuzmanoviq kishte luajtur bashkë me Shaqirin në Inter dhe thotë se ende ruan kontaktin me përfaqësuesin e Zvicrës.
“Po, ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Ne shihemi kohë pas kohe në Kaiseraugst në Aargau dhe bisedojmë. Ne nuk kemi aspak telashe mes vete. Prandaj ju lutem. Ky problem duhet të zgjidhet tani: futbolli dhe politika duhet të ndahen, kështu do të ishte më së miri për të gjithë”, shtoi ai.

Zvicra dhe Serbia do të përballen të premten në një ndeshje vendimtare për t’iu bashkuar Brazilit në rrethin e 16 më të mirëve në Kupën e Botës në Katar, katër vite pasi Xhaka dhe Shaqiri festuar duke e bërë shqiponjën me duar, pasi shënuan për ta mposhtur Serbinë në Rusia 2018.
Duke folur para përballjes së dytë radhazi në Botëror mes tyre, Kuzmanovic, i cili ka pasaportë serbe dhe zvicerane, e përsëriti se veprimi i Xhakës dhe Shaqirit ishte i gabuar.
Por ai e pranoi se edhe sjellja e serbëve para asaj ndeshjeje ishte e gabuar, duke thënë se të dy palët gabuan dhe se shpreson se historia nuk do të përsëritet.
“Të dy palët u sollën keq. Por si lojtar duhet të jesh i mësuar me provokime. Është pjesë e punës, nuk ke të drejtë të reagosh. Djemtë natyrisht se kanë mësuar nga gabimet e veta. Shpresoj se skena të tilla nuk do të përsëriten më”, shtoi ai.

Zvicra e fitoi ndeshjen e parë në Grupin G dhe u mposht nga Brazili në ndeshjen e dytë, prandaj kualifikimin duhet ta kërkojë pikërisht kundër Serbisë.
Kombëtarja helvetike, e udhëhequr nga kapiteni kosovar, do ta kalojë grupin edhe me barazim, pra nuk e ka detyrim fitoren të premten.
Kundër Serbisë, Xhaka do të jetë titullar i padiskutueshëm, por Shaqiri pritet të jetë sërish në stol sikur me ndeshjen kundër Brazilit sepse vuan nga një dëmtim në kofshe.
Serbia, ndërkohë, si e fundit në grup me vetëm një pikë, duhet ta mposhtë patjetër Zvicrën dhe të shpresojë që Kameruni nuk e mposht Brazilin në ndeshjen tjetër për ta kaluar grupin.
