Nën hijen e Vuçiqit: imam Saqipi si zëdhënës i Serbisë
Besnik ndaj SNS-së së Nikoliqit dhe Vuçiqit, Nexhmedin Saqipi kollitet tash e dy vjet si ‘Reis-ul-ulema’ i Serbisë. Për mediat e politikën në Beograd, ai është yrrnek i ‘shqiptarit të ndershëm’ që e pranon Serbinë si shtet të vetin, merr pjesë në parada ushtarake dhe nderon gjeneralë në pension. I preferuari i vëllezërve Jusufspahiq, myftinjve skandalozë në Beograd, Saqipi është në mesin e atyre që shteti i Kosovës nuk u kujtua ndonjëherë t’i shpallte ‘non grata’. NACIONALE kronikon një skicë biografike të ‘reisit’ 57-vjeçar nga Tërnoci, vëllezërve Jusufspahiq dhe ‘Zajednicës’ religjioze që u zhvendos para dy jave nga Beogradi në Pazar të Ri, fare pranë kufirit me Kosovën.
28 gusht 2026 – Regjimi i Vuçiqit pothuajse e ka bërë punë të kryer bashkimin e dy organizimeve paralele që përfaqësojnë myslimanët në Serbi.
Para dy jave, më 14 gusht, Bashkësia Islame e Serbisë (Islamska zajednica Srbije) dhe Bashkësia Islame në Serbi (Islamska zajednica u Srbiji) janë pajtuar që formalisht të ribashkohen.
Në emër të bashkimit institucional, dy organizimet i kanë dhënë fund luftës së ndërsjellë me nënshkrimin e një ‘karte’ (povelja).
Fryt i pazareve negociale që filluan që nga prilli i këtij viti, ashtu sikurse edhe nën shtytjen e Beogradit, të dy organizimet paralele janë pajtuar që të ketë vetëm një institucion suprem fetar në gjithë hapësirën e Serbisë.
Teksa në muajt në vijim pritet të bëhet shkrirja praktike, Beogradi më në fund e ka avitur këtë institucion fetar fare pranë Kosovës, në Pazarin e Ri, ku do të jetë selia e tij qendrore.

Kur organizimi religjioz përshkohet nga shteti
Siç ka kronikuar NACIONALE në një hulumtim paraprak, në Serbi, që prej 2007-s, ekzistojnë dy struktura të ndara organizative që pretendojnë përfaqësimin e myslimanëve.
Ndonëse nuk e njohin njëra-tjetrën, ‘Bashkësia Islame në Serbi’ dhe ‘Bashkësia Islame e Serbisë’ njihen zyrtarisht nga Beogradi.
Dallimi i tyre formal është vetëm gjuhësor ku njëra e ka parafjalën ‘u’, siç kuptohet nga formulimet zyrtare ‘Islamska zajednica u Srbiji’ (shkurtesa, IZuS) dhe ‘Islamska zajednica Srbije’ (dhe IZS).
Nëse IZuS-ja me seli në Pazarin e Ri e cilëson veten si të lidhur me Bashkësinë Islame të Bosnjës, IZS-ja, në anën tjetër, me seli në Beograd, ngulmon për një organizim të pavarur.
Megjithëkëtë, të dyja organizimet shquhen përgjithësisht për lojalitet ndaj regjimit të Vuçiqit.

Lexo edhe: Ulemaja e Vuçiqit – rreziku i shpërfillur për Kosovën
Myftiu Jusufspahiq: “Serbia s’jeton dot pa Kosovën, zemren e vet”
Që prej 2008-s, sidomos organizimi që ishte në Beograd ka qenë dorë e djathtë e pushteteve në luftën diplomatike për të penguar njohjet e Kosovës së pavarur në shtetet me shumicë myslimane.
Si pjesë e IZS-së, myftiu i Beogradit, Mustafa Jusufspahiq, kishte qenë ‘zeher’ nga goja kur bëhej fjalë për qëndrimet kundër Kosovës.
Në një prononcim të paradovitshëm për mediumin beogradas ‘Srpski Telegraf’, imami 56-vjeçar nga Xhamia Bajrakli e kishte quajtur Kosovën si zemër të Serbisë (“Kosovo je kolevka Srbije”).
“Nuk duam që vendi ynë të ndahet, madje nuk është e ndershme të copëtohet zemra e këtij vendi”, kishte thënë myftiu Jusufspahiq në emër të IZS-së.
Pa e fshehur mburrjen, Jusufspahiqi kishte treguar për rolin e tij lobues në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Gambi që ky shtet afrikan ta tërhiqte njohjen e Kosovës.
Në një shpërthim nacionalist gjatë intervistës, Jusufspahiqi kishte thënë se ‘Zajednica’ e tij religjioze kishte qenë kurdoherë pjesë vitale e shtetit.
“Bashkësia Islame e Serbisë ka qenë gjithmonë pjesë integrale e sistemit të mbrojtjes së vendit”, kishte thënë Jusufspahiqi që shërben edhe si myfti në ushtrinë e Serbisë.
‘Dhurata’ e vëllezërve Jusufspahiq
Në të vërtetë, vëllezërit Jusufspahiq janë bosët e vërtetë të ‘Zajednicës’ fetare që ndjek objektivat e politikës serbe kundrejt Kosovës.
Vëllai i madh, myftiu Muhamed Jusufspahiq, në cilësinë e kreut të Këshillit Suprem (Rijaset) të Bashkësisë Islame të Serbisë, në vjeshtën e 2023-s, e emëroi një shqiptar në pozitën e Reis-ul-Ulemasë së Serbisë.
Ai ishte një i besuar i vjetër që nga Lugina e Preshevës përfaqësonte besnikëri absolute ndaj Beogradit. E quanin Nexhmedin Saqipi dhe vinte nga Tërnoci.
Me të marrë pozitën në fjalë, shqiptari lojal gati do t’i linte në hije Jusufspahiqët me qëndrimet e tij kundërthënëse.
Megjithëse këto deklarime janë mediatizuar ndonjëherë edhe në botën shqiptare, ‘reisi’ i ri përfaqëson një shembull kristal të qartë sesi Beogradi ka bërë për vete krejt hierarkinë e lartë të organizimeve islame në Serbi.
I lindur më 15 gusht 1965 në Tërnoc të Madh, në komunën e Bujanocit, jetëshkrimi i Nexhmedin (Zejnullah) Saqipit përfshin shkollimin e tij për teologji në Sarajevë dhe Damask.
Krye në vete, Saqipi më 2013 do të krijonte një ‘Bashkësi Islame për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën’, të cilën e bëri aneks të IZS-së në Beograd.
Ashtu siç qe e rrufeshme ngjitja e tij në krye të këtij organizimi religjioz, e tillë ishte edhe shfaqja e lojalitetit ndaj Beogradit.
Mediat serbe e kishin përcjellë me bujë paraqitjen e tij të parë zyrtare kur mori pjesë në shënimin e Ditës së Shtetit të Serbisë, më 15 shkurt 2016.
“Myftiu Saqipi i vetmi shqiptar për festimin e Ditës Shtetërore të Serbisë”, shfaqej asohere një titull në mediat serbe.
Një “pošteni Albanac”
Në të vërtetë, kaq mjaftonte që Beogradi ta qepte narracionin se shqiptarët brenda territorit serb ishin të integruar si mos më mirë.
Mediat e afërta me pushtetin në Beograd i dhanë hapësirë maksimale udhëtimit të Saqipit në Beograd.
Ai portretohej si i vetmi shqiptar nga “Serbia jugore” që po i rrinte gatitu presidentit të asokohshëm serb, Tomislav Nikoliq.
Edhe kur atij iu rrezikua posti si ‘Reis-ul-ulema’ nga rivali Senad Halitoviq, imami nga Lugina dha prova të tjera serbofilie që ishin garanca më e mirë e mbijetesës.
Kurdo që shfaqeshin ankesa për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Luginë të Preshevës – madje edhe kur ndizeshin alarme nga Washingtoni e Brukseli – politika serbe e kishte përgjigjjen në maje të gjuhës.
Efendiu shqiptar paraqitej si vullnetar për të dhënë përshtypjen sikur shqiptarët e Luginës e donin Serbinë, por elitat e tyre politike ua bënin sherrin kur i orientonin nga Prishtina e Tirana.
Si ‘shqiptar i ndershëm’, imami nga Tërnoci me dorën e vet do të autoronte tekste kritike ndaj bashkatdhetarëve, të cilëve u përkujtonte se “Serbia është edhe shteti juaj” (Srbija je i vaša zemlja).
Tejet kritik ndaj atyre politikanëve në Luginë që mbajnë lidhje me dy kryeqendrat shqiptare, imam Saqipi e quante papërgjegjësi që të shkelej buka e Serbisë.
“Nuk është e hijshme për dikë që mban pozita udhëheqëse në Luginën e Preshevës – qoftë në qeverinë lokale, arsim, shëndetësi apo institucione të tjera shtetërore – që të bëjë deklarime të papërgjegjshme në mediat në Kosovë e Shqipëri. Këta njerëz, që marrin paga nga buxheti i shtetit ku jetojnë e punojnë, ushqejnë familjet e tyre dhe i rrisin fëmijët në këtë sistem, e pastaj dalin publikisht për të folur kundër të njejtit shtet, e humbasin krejt besimin”, shkroi Saqipi për një medium lokal në gjuhën serbe në Bujanoc.
Miqësi me një gjeneral
Si ‘reis’, Saqipi nuk mungonte që të përnaltësonte edhe figura të larta ushtarake në Serbi.
Kur vjet u pensionua gjenerali veteran nga Rashka, Milosav Simoviq, kleriku nga Tërnoci bëri një shkrim ku e ngrente në qiell mikun e tij.
Saqipi kishte kujtuar momente nga fundvitet ‘90, kur kishte filluar mobilizimi i dhunshëm edhe në komunat e banuara me shqiptarë.

Aty, sipas fjalëve të tij, e kishte kuptuar se çfarë njeriu “i ndershëm e paqësor” ishte gjeneral, Simoviqi.
“Besoj se nuk ka kombe të liga, e as ushtri apo polici të keqe – ka vetëm individë që e përdorin uniformën e tyre për ligësi. Simoviqi nuk ishte nga ta”, shkroi
Saqipi.
Parada
Por, patriotizmi ‘etatist’ i reis Saqipit ka edhe të bëma të tjera.
Më 20 shtator të vitit të kaluar, regjimi i Vuçiqit vendosi të bënte paradën e radhës me sloganin ‘Fuqi për Bashkim’.
Në këto parakalime, ku morën pjesë plot 10 mijë ushtarë nga personeli i forcave të armatosura serbe, pushteti në Beograd shfaqi teknologjitë e armët më të sofistikuara të blera gjatë viteve të fundit.
Ndonëse Serbia shihet me shqetësim në Perëndim, si pasojë e marifeteve të saj të dyfishta me Rusinë e Kinën, imami shqiptar nuk do të mungonte të ishte i pranishëm aty.

Kamerat nuk mund ta shmangnin pjesën më pikante të imazherisë së shtetit që gëzonte besnikërinë edhe të ‘shqiptarëve të ndershëm’.
Kur Kosova dhe Shqipëria flenë
Deri më tani, për aq sa shkojnë reagimet zyrtare, Bashkësia Islame në Kosovë nuk e ka zënë në gojë asnjëherë profilin problematik të imamit kundërthënës nga Tërnoci.
I vetmi reagim, fare shkurtimisht e me gjuhë evazive, ishte bërë më 30 gusht 2013 kundër Saqipit që paraqitej si përfaqësues i besimtarëve të Luginës së Preshevës.
Nga sa është raportuar publikisht, institucionet e sigurisë në Kosovë ende nuk kanë një listë personash të padëshiruar që janë pjesë e organizimeve fetare lojale ndaj shtetit serb.
Me qëndrime tejet skandaloze është shquar, ndër vite, edhe Myftiu i Madh nga Pazari i Ri, Mevlud Dudiq.
Në krye të Meshihatit të Bashkësisë Islame në Serbi (IZuS), Dudiqi, i lindur në Tutin dhe folës i rrjedhshëm i shqipes, është i palodhur në punën e tij si lobues për Serbinë në shtetet islamike.
Në maj të vitit 2018, gjatë një ceremonie të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, ai kishte prekur kufijtë e skandalit kur të pranishmëve iu kishte thënë se nuk janë shqiptarë, por myslimanë.
Dorëzimi para regjimit
Përndryshe, ‘rezistenca’ e dikurshme ndaj Beogradit në krahinën e Sanxhakut të Pazarit të Ri është kthyer, për pak vite, në besnikëri ndaj shtetit serb.
Një nga rastet më eklatante ishte ai i teologut tashmë të ndjerë, Muamer Zukorliq (1970-2021).
Përveçse deputet, Zukorliqi dhe partia e tij ‘Stranka pravde i pomirenja’ më 2017 përkrahu nxehtësisht Vuçiqin gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Deri më 2021, ai në të shumtën e herave mbajti anën e SNS-së, pra partisë së Vuçiqit.
Sebep kësaj afrie, teologut në fjalë do t’i besohej asgjë më pak se posti i nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë. /Nacionale/