Serbia dhe kompania izraelite “Elbit” pritet ta hapin fabrikën e dronëve në shtator - NACIONALE

Serbia dhe kompania izraelite “Elbit” pritet ta hapin fabrikën e dronëve në shtator

1 orë më parë

nga NACIONALE

Serbia planifikon që të hapë një fabrikë me gjigantin izraelit të mbrojtjes, “Elbit Systems” në mesin e shtatorit për të prodhuar në mënyrë të përbashkët dronë për modernizimin e mbrojtjes së saj dhe për ta fuqizuar eksportimin e sistemeve pa pilotë e pajisjeve ushtarake.

Duke folur në një konferencë për shty gjatë një vizite nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, presidenti populist serb, Aleksandar Vuçiq, tha në fundjavë se Serbia do të hapë një fabrikë dronësh me izraelitët rreth 15 ose 20 shtatorit. Kompania “Elbit” refuzoi të komentonte për hollësi shtesë, kur u kontaktua nga gazeta “The Times of Israel”.

Si pjesë e bashkëpunimit, kompania “Elbit” do ta mbajë shumicën e aksioneve, 51 për qind, në fabrikën për mjete pa pilotë, ndërsa pjesën tjetër do ta ketë prodhuesi shtetëror serb i armëve, SDPR. Objekti është planifikuar të ndërtohet në zonën industriale Simanovci, afër Beogradit, dhe pritet të prodhojë dronë luftarakë sulmues me rreze të shkurtër, krahas zhvillimit dhe prodhimit të sistemeve të avancuara pa pilotë, të dizajnuara për të operuar në rreze më të gjatë, si dhe sisteme elektronike të avancuara për zhvillimin e luftimeve.

Shteti ballkanik ka blerë armë dhe pajisje moderne nga Evropa, Izraeli dhe Kina, përderisa po e zëvendëson teknologjinë e epokës sovjetike dhe po e përshtat strategjinë e vet ushtarake me luftën moderne, thekson mediumi izraelit.

Serbia është bërë njëra nga aleatet më të ngushta të Izraelit në Evropë, edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian apo NATO-s. Në prill, Vuçiqi për herë të parë i kishte njoftuar planet për prodhim të përbashkët të dronëve luftarakë me Izraelin. Në muajin e njëjtë, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, dhe homologu i tij serb, Marko Gjuriq, gjatë një takimi në Jerusalem njoftuan një marrëveshje për tregti të lirë dhe fillimin e një dialogu të ri strategjik.

Ndërmarrja e përbashkët vjen pasi kompania “Elbit” në gushtin e vitit të kaluar nënshkroi një kontratë 5-vjeçare të mbrojtjes me vlerë të 1,64 miliard dollarëve me Serbinë për furnizim me sisteme artilerie me rreze të gjatë për sulme precize si dhe mjete ajrore pa pilotë të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, përfshirë dronë me operim personal për përdorim taktik dhe operacional.

Në fillim të vitit 2025, Serbia bleu sisteme artilerie PULS nga Izraeli dhe dronë të tipit “Hermes” të prodhuara nga kompania “Elbit Systems” për 335 milionë dollarë./Nacionale

Lajme të ngjashme