Si 16-vjeçar debutoi në Superligë për Drenicën, këto ishin statistikat mahnitëse të Gjokajt - NACIONALE

Si 16-vjeçar debutoi në Superligë për Drenicën, këto ishin statistikat mahnitëse të Gjokajt

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Në një moshë të mitur, si 16-vjeçar, Altin Gjokaj debutoi në Superligë me fanellën e Drenicës kundër Malishevës gjatë fundjavës që lëmë pas, ku sfida përfundoi me rezultat 0:0. Gazeta Nacionale ka siguruar statistikat e tij nga ndeshja në fjalë.

Një ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë për Arlis Shalën bëri që t’i hapej një dritare e mirë promovimi një portieri fare të ri në moshë siç është Altin Gjokaj. Ky promovim erdhi në Superligë, në kuadër të xhiros së 13-të që u zhvillua gjatë fundjavës së shkuar.

Vetëm dy javë më herët mbushi 16-vjeç. Nëse bëhet një analogji me një rast të ngjashëm në futbollin perëndimor, Gjokaj debutoi më i ri në ekipin senior sesa vetë Donnarumma që kishte debutuar te Milani.

Drenica është identifikuar prej vitit 2004 e deri më sot si klubi që më së shumti u jep hapësirë futbollistëve lokalë, të zonës së qytetit të Skenderajt së bashku me fshatrat përreth tij. Kësaj radhe veproi njëjtë, vetëm se me një lojtar shumë të ri që ka në radhët e veta.

Gazeta Nacionale ka arritur t’i sigurojë statistikat e portierit të ri të Drenicës në ndeshjen e tij debutuese në Superligë ndaj Malishevës.

Statistikat mahnitëse të Gjokajt në debutimin e tij në Superligë

Bekim Shotani ia besoi vendin e titullarit. Altin Gjokaj nuk e përbuzi besimin, por e arsyetoi deri në pikën e fundit. Kështu tregojnë statistikat e detajuara. Në tokën dhe vendin e tij, dhuroi një paraqitje për kartolinë.

Në radhë të parë, siguria me këmbë ishte ajo që u vu në pah që në fraksionin e parë të lojës. Ai kishte 70% të pasimeve të sakta. Në pjesë të dytë kjo përqindje shkoi deri në 80%.

Drenica mori një pikë, por në disa raste rrezikoi edhe të pësonte gol. Tre pritjet e portierit 16-vjeçar ishin përcaktuese. Ekipi i drejtuar nga Shotani me anë të kundërsulmeve rrezikoi në më shumë se dy raste që të kalonte në disavantazh. Gjokaj ishte aty ai që ruante portën e paprekur.

Përfaqësuesi i Kosovës U19 bëri tre pritje me reflekse, dy prej të cilave në pjesë të dytë, kur ekipi ishte në superioritet numerik në fushë.

Edhe në një duel në ajër, kur u sprovuan cilësitë e tij, ai ia doli mban dhe e fitoi atë. Gjatë tërë ndeshjes bëri katër dalje, me ç’rast rezultuan të suksesshme.

Dy pritje ndaj Ilir Mustafës së Malishevës në minutat 58’ dhe 92’ ishin madhështore nga ai në raport me moshën që ka.

Kur Drenica në pjesën e dytë po sulmonte me "sistemin e rrezikshëm" të Shotanit, 3-2-5 (siç e quajti vetë ai në fund të ndeshjes), Mustafa në minutën e dytë shtesë goditi nga 20 metra, por topi përfundoi në shtyllën e lartë, pasi u devijua lehtësisht, por mjaftueshëm sa për të mos pësuar gol – nga vetë gardiani i Drenicës.

Një paraqitje më se stabile, ku dëshmoi një pjekuri të duhur edhe kur skuadra e tij pësonte një tryesni të kundërshtarit me orvatje sulmuese.

Përgjithësisht ishte një ndeshje e përçudshme, e karakterizuar me një pjesë të parë të ngathtë dhe një pjesë të dytë kaotike, por i vetmi që ruajti sigurinë në paraqitjen e tij ishte vetë gardiani 16-vjeçar. Sa i përket Gjokajt, ai kishte momente të vështira gjatë ndeshjes, kur shpesh është dashur edhe ndihma e stafit mjekësor, për shkak të kontakteve të egra që ndodhën në zonën e tij të portës, me ç’rast pranoi disa goditje të paqëllimshme nga lojtarët e Malishevës, si Sobowale.

Drenica është në rindërtim e sipër të projektit të vet. Me portierët mund të thuhet që qëndron mirë nëse i referohemi të ardhmes.

Lajme të ngjashme