Ilir Daja: Ballkani kombëtarja e dytë mbarëshqiptare, nesër duhet të vuajmë bashkë për një çmenduri të radhës - NACIONALE

Ilir Daja: Ballkani kombëtarja e dytë mbarëshqiptare, nesër duhet të vuajmë bashkë për një çmenduri të radhës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, iu ka bërë thirrje tifozëve kosovarë për, siç tha, të vuajtur së bashku me kampionin e Kosovës për një “mrekulli” kundër Slavia Prahas në Ligën e Konferencës të enjten.

Ballkani e pret klubi çek në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë të enjten në atë që do të jetë ndeshja vendimtare për shpresat e klubit suharekas në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës është i fundit në Grupin G vetëm katër pikë dy ndeshje deri në përfundim të fazës grupore, aq sa ka edhe kundërshtari i saj i nesërm. Sivassporti dhe Cluj i prijnë grupit me nga shtatë pikë secili.

Një disfatë tjetër do të nënkuptonte rënie nga gara për Ballkanin dhe Daja e pranon se skuadra e tij nuk është në formën më të mirë, duke e cilësuar Slavian si më të fortin e grupit.

Në çdo ndeshje në Prishtinë e kemi ndier përkrahjen e të gjithëve sapo jemi futur në stadium, sepse jemi bërë si një kombëtare e dytë, një kombëtare mbarëshqiptare, sepse jemi i vetmi ekip që e vazhdojmë rrugëtimin në Evropë. Motivi nuk na mungon, por duke e parë gjendjen tonë, nuk jemi në formën më të mirë dhe kundërshtarin e kemi më të fortin e grupit, por kjo nuk do të thotë që ne do të futemi të dorëzuar”, tha Daja të mërkurën në një konferencë për media.

Daja e pranoi po ashtu se skuadra e tij po ndien lodhje, gjë të cilën e ka shfaqur vazhdimisht kah fundi i ndeshjeve në Evropë, dhe se i duhet një “mrekulli” për ta kaluar fazën grupore.

Ballkani ishte mposhtur nga Slavia në ndeshjen e parë mes tyre në grup e zhvilluar muajin e kaluar në Çeki.

Ne i kemi zhvilluar 24 ndeshje për katër muaj e gjysmë, që do të thotë ne e kemi një kontingjent lojtarësh, rreth njëzet e ca lojtarë, duke i parë mungesat e disa lojtarëve të rëndësishëm, si Gripshi, Astrit Thaqi dhe Leonit Abazi. Mos të përmendim ata që kanë munguar gjatë.

Ballkani është klubi i parë kosovar që siguron pjesëmarrjen në një garë evropiane, pasi u kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Konferencë në tentimin e parë, si dhe klubi i vetëm mbarëshqiptar që luan në një garë evropiane sivjet.

Daja shtoi: “Ne e kemi përballuar gjithë këtë lloje ngarkese me një kontingjent prej rreth 16 lojtarëve dhe në proces kemi marrë lojtarë nga të rinjtë për ta plotësuar numrin prej 20 lojtarëve. Pra, energjitë tona nuk janë më ato që i kishim me Slavian në Prag. Këtë nuk po e bëjmë për t’u arsyetuar, nesër tifozët duhet të vuajnë bashkë me neve në mënyrë që ta bëjmë një çmenduri tjetër të radhës që të shpresojnë në një aventurë të paimagjinueshme.”

Lajme të ngjashme