“Edhe ne luajmë çdo tri ditë” - Prishtina e godet FFK-në për shtyrjen e ndeshjes me Ballkanin
Prishtina e ka goditur Federatën e Futbollit të Kosovës për shtyrjen e ndeshjes së saj me Ballkanin në Superligë për datë të papërcaktuar, duke thënë se ajo po krijon një ndjesi favorizimi.
Ndeshja në Suharekë ishte paraparë me orar të luhej të dielën më 30 tetor, por Komisioni i Garave i FFK-së e shtyu për kohë të pacaktuar për shkak se Ballkani do të luajë tri ditë më herët, të enjten më 27 tetor, në Prishtinë kundër Slavia Prahas në Ligën e Konferencës.
Artan Osmani, drejtori i Prishtinës, tha për Gazetën Nacionale se klubi ishte njoftuar të hënën se ndeshja do të zhvillohej më 30 tetor, ashtu siç ishte në orar, para se federata ta njoftonte sot paradite se kishte vendosur ta shtynte ndeshjen.
“Kjo po na shkakton çrregullim. Më 24 FFK-ja na njoftoi se loja luhet më 30, një ditë më vonë na njoftuan se loja nuk luhet më 30 por shtyhet për orar të papërcaktuar. Kjo na sjell telashe, na e çon dëm tërë javën. Kjo është ndeshja e dytë e jona që shtyhet. Dhe neve do të na duhet t’i zhvillojmë këto ndeshje në një orar të ngjeshur më vonë”, tha Osmani.
Osmani shtoi: “Krijohet një ndjesi se një klub po favorizohet, tash për faktin që janë duke luajtur në një garë ku nuk luan asnjë ekip i Superligës, atëherë jemi të prirë ta pranojmë për këtë. Por normal nuk është e drejtë, por meqë një ekip kosovar po merr pjesë për herë të parë në fazën grupore ta themi se me këtë e tejkalojmë këtë. Kur fillon ta akomodosh orarin për një ekip apo tjetër, është shumë vështirë të gjesh zgjidhje pa i dëmtuar ekipe e tjera.”
Sipas nenit 18, të Rregullores së Garave, një ndeshje e Superligës mund të shtyhet për shkak të pjesëmarrjes së klubeve në garat ndërkombëtare, dhe për shkaqe të sigurisë.
Derisa rregullorja lejon shtyrjen e një ndeshjeje, ajo është e paqartë në atë se në çfarë situate saktësisht do të duhej të shtyhej ajo, duke qenë se është e natyrshme për një klub të luajë çdo tri ditë.
Prishtina i ka zhvilluar dy herë nga tri ndeshjeve brenda javës, apo një ndeshje çdo tri ditë, këtë sezon në Superligë. Më 11 shtator në barazimin 1:1 me Gjilanin në udhëtim, në fitoren 4:2 kundër Malishevës më 14 shtator dhe në disfatën 2:1 kundër Drenicës më 18 shtator. Po ashtu, e mundi Ferizajn 2:1 më 14 tetor, para se të ta mposhte 2:1 Dritën më 19 tetor në Gjilan dhe Llapin 2:0 më 22 tetor në Prishtinë.
“Edhe ne çdo tri ditë ne luajmë në Superligë. Kjo nuk është normal, kjo situatë nuk është diçka standarde. Ne do t’i kërkojmë FFK-së të na lajmërojë më kohë, sepse ka muaj që dihet kur luhet ndeshja e Ballkanit me Slavian dhe ata kanë mundur ta përgatitnin orarin konform dhe ne do ta dinim me kohë orarin e ndeshjeve”, shtoi ai.
Pas një fillimi jo bash të mirë të sezonit, bardhekaltrit duket se tani e kanë gjetur formulën e fitores nën urdhrat e Ismet Munishit, pasi kanë triumfuar në tri ndeshjet e fundit, duke i mbledhur 21 pikë në vendin e tretë, nëntë pikë larg lideres Drita, e cila ma një ndeshje më shumë.

Shtyrja e kësaj ndeshjeje, sipas Osmanit, do të ndikojë keq te skuadra, për të cilën thotë se është më e motivuar së kurrë më parë.
“Natyrisht se do të ndikojë tek ekipi, sepse ne jemi në një seri të mirë rezultatesh, ekipi është tejet i motivuar dhe çdo ndërprerje, shtyrje e tillë ndikon. Por ne jemi mësuar të luajmë në situata të pafavorshme për neve dhe duhet të vazhdojmë kështu për sa kohë mundemi. Çfarë do të ndodhte nëse katër skuadra të Superligës do të luanin në garat evropiane? Qysh do të zhvillohej kampionati atëherë? Ish dashur të ndalej kampionati tërësisht, dhe të vazhdohej në dimër. S’i kam parë statistikat, por ne shumë shpesh vjet e sivjet kemi luajtur çdo tri ditë, prandaj nuk është dashur të ishte telashe kjo gjë”, shtoi ai.
