Banner-i që Prishtina duhet ta mbante - NACIONALE

Banner-i që Prishtina duhet ta mbante

1 orë më parë

nga NACIONALE

Për tre vite me radhë pamja nga ballkoni i banesës time në Prishtinë shikonte banner-in me mbishkrimin “Free Ukraine” të vendosur në një prej faqeve të Hotel Grand. Kushdo që kalonte në qendër e kishte të pamundur mos ta shikonte. Për kaq vite ai banner u bë pjesë e integrale e peisazhit të qytetit si një simbol solidariteti me popullin e Ukrainës.

Dje, Komuna e Prishtinës e hoqi atë si reagim pas deklaratës së Volodymyr Zelensky, i cili rikonfirmoi respektimin e inegritetit territorial të Serbisë dhe do të vazhdonte mosnjohjen e Kosovës.

E kuptoj mirë zhgënjimin pas deklaratës. Madje, çdo shqiptar duhet të ndihet keq. Për më tepër që deklarata u bë në Beograd, duke i dhënë Vuçiçit një “fitore” diplomatike për momentin dhe një nxitje në narrativën ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës.

Ky është aspekti emocional.

Kosova dhe territoret e pushtuara ukrainase nga Rusia janë thelbësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. E para ia doli të shpallë pavarësinë pas shtypjeve sistematike dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Ndërsa, Ukraina është një shtet sovran, që ka një territor të aneksuar dhe një pjesë tjetër nën pushtim. Në këtë pikë s’ka asnjë bazë krahasimore.

Prapë, nuk mund të jem dakord me heqjen e banner-it.

Kur ky banner u vendos atje në vitin 2022, të gjithë e dinin se Ukraina nuk e njihte pavarësinë e Kosovës. Pra, është vendosur atje me ndërgjegjje të plotë. Në atë kohë u justifikua se ky banner shprehte solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe të drejtën e tyre për të jetuar të lirë. Ky parim është ende i vlefshëm.

Sot, cili është justifikimi?

Hajde i marrim me radhë.

Kosova vendosi sanksione ndaj Rusisë e më pas edhe ndaj Bjellorusisë. Ajo ofroi ndihmë humanitare dhe strehoi gazetarë. Pra, Kosova u rreshtua tek vendet që mbështetën Ukrainën, edhe pse ajo nuk ia njihte pavarësinë.

Nga ana tjetër, heqja e banner-it krijon tjetër përshtypje. Ky veprim i nxituar i jep të drejtën kujtdo që ta lexojë se solidariteti varet nga reciprociteti diplomatik. Nuk ishin qytetarët e Ukrainës që përcaktuan politikën e shtetit të tyre ndaj Kosovës. Për pasojë, simboli i dedikuar lirisë së popullit ukrainas nuk mund të përdoret si një instrument zemërimi ndaj deklratës se Zelensky-t. Në këtë mënyrë, ky veprim kalon kufijtë e Komunës së Prishtinës dhe kthehet në një sinjal ndërkombëtar të dëmshëm për Kosovën.

Kosova e di mirë se çfarë është lufta dhe çfarë sjell ajo për një popull. Pikërisht kjo përvojë i jep Kosovës përgjegjësinë për të ruajtur një standard më të lartë edhe në rastin kur një shtet tjetër nuk tregon të njëjtin mirëkuptim.

Këto punë nuk bëhen me nxitim, as me tifozllëk.

Komuna e Prishtinës mund të kishte mbajtur banner-in, madje të shoqëruar me flamurin e Kosovës dhe kërkesën e qartë për Kievin që të njohë shtetin e Kosovës. Me një veprim kaq të vogël do të kishte nxjerrë në dukje ndërkombëtarisht kontradiktën e Ukrainës në raport me Kosovën, pa cenuar parimet e veta.

Kosova nuk do të humbiste asgjë duke treguar solidaritetin e saj me një popull që ndodhet nën sulm. Një qëndrim i tillë do t’i rriste Kosovës autoritetin moral dhe politik kur t’i kërkonte Ukrainës të ofronte në këmbim të njëjtin respekt.

Pse duhet të mbyllësh dyer, kur mund t’i mbash të hapura?

Heqja e banner-it pasqyron edhe njëherë tendencën shqetësuese drejt vetëizolimit, ndërkohë që nevoja e Kosovës është të njihet gjerësisht në arenën ndërkombëtare. Ky veprim nuk ndryshon asgjë në politikën e Kievit, por të Kosovës, sepse ajo i hoqi vetes një tjetër argument që mund ta kishte përdorur në të ardhmen. Kjo i ngushton Kosovës hapësirën për manovrim në bisedimet ndërkombëtare kur rrethanat diplomatike të ndryshojnë.

Çdo derë që Kosova mbyll sot, i jep asaj më pak argumente për të ndikuar në vendimet që të tjerët do të marrin nesër.

Shkruan: Rildo Ngjela

Lajme të ngjashme