Prishtina e mbron Munishin dhe thotë se Afrim Muçiqi mund të flasë vetëm si tifoz i klubit, ky i fundit qesh me të
Prishtina i ka kërkuar Afrim Muçiqit të mos flasë më në emër të klubit, duke thënë se këngëtari i ka shitur të gjithë aksionet në klub dhe se më nuk është pjesë e tij, në një postim në rrjetet sociale në të cilin Muçiqi u përgjigj me të qeshura.
Muçiqi foli si aksionar i klubit bardhekaltër në një paraqitje televizive në vend të dielën, ku e kritikoi trajnerin e klubit Ismet Munishi duke e cilësuar si jo të duhur për skuadrën.
Reagimi i Prishtinës ka qenë i shpejtë ndaj ish-aksionarit të vet, duke i kërkuar atij të flasë vetëm si tifoz i klubit “nëse ende ndihet i tillë”.
“FC Prishtina njofton opinionin publik se Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor. Muçiqi së fundmi në një paraqitje televizive në T7 me datë 23.10.2022, ka deklaruar publikisht se ende është aksionar teksa e ka komentuar edhe trajnerin Ismet Munishi duke thënë se nuk është i duhuri për ekipin tonë!” thuhet në reagimin e klubit bardhekaltër.
Prishtina e emëroi Munishin në postin e trajnerit në verë, duke ia besuar rindërtimin e skuadrës pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën në klub, përfshirë zgjedhjen e Hakif Gashit si kryetar të klubit.
Pas një fillimi jo bash të mirë të sezonit, bardhekaltrit duket se tani e kanë gjetur formulën e fitores nën urdhrat e Munishit, pasi kanë triumfuar në tri ndeshjet e fundit, duke i mbledhur 21 pikë në vendin e tretë, nëntë pikë larg lideres Drita, e cila ma një ndeshje më shumë.
Pas kritikave të Muçiqit se ai nuk është i duhuri, klub i doli në përkrahje 52-veçarit duke thënë: “FC Prishtina është jashtëzakonisht e kënaqur me punën e Munishit, i cili erdhi te skuadra jonë në një moment aspak të mirë kur klubi përballej me borxhe të shumta financiare të trashëguara që nga koha e Muçiqit.”
“Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona. Muçiqi nuk ka qenë pjesmarrës as në Kuvendin e fundit Zgjedhor, ku është zgjedhur kryetari i ri, Hakif Gashi, si dhe anëtarët e tjerë të bordit: Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu dhe Ismet Begolli”, thuhet tutje në reagim.
Ndaj këtij reagimi Muçiqi u përgjigj me një koment të shkurtër sarkastik, duke qeshur më të madhe.
“Hahahahahahahahahahaahaaa+ahahahahahahahahaah”.
