Salihamidzic ia mbyll dyert sërish Ronaldos: "Nuk na intereson"
Drejtori i Bayern, Hasan Salihamidzic, ka potencuar sërish faktin se klubit bavarez nuk është i interesuar për ta marrë Cristiano Ronaldon.
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, së bashku me Lewandowskin, deri më tani kanë qenë dy lojtarët më të përfolur prej që ka filluar afati kalimtar i futbollistëve.
Sipas medieve të besueshme angleze, Ronaldo ia ka kumtuar para disa javësh Manchester Unitedit dëshirën për t'u larguar, ngase dëshiron që të luajë akoma në Ligën e Kampionëve, më saktësisht në nivele të larta, gjë që në sezonin e ardhshëm nuk mund ta bëjë me fanellën e "djajve të kuq".
Kësisoj, ai është lidhur me një transferim të mundshëm në Chelsea dhe Bayern, por për fatin e tij të keq, që të dy klubet e kanë refuzuar.
Bayern e refuzon sërish
Drejtori sportiv i Bayern, Hasan Salihamidzic, është deklaruar për mediumin Sport 1 në lidhje me interesimin e prezumuar të klubit gjerman për shërbimet e Ronaldos.
"Kam shumë respekt për Cristiano Ronaldon, për sukseset dhe karrierën e tij. Por, e ripotencoj që nuk ka qenë dhe vijon të mos jetë objektiv i yni", theksoi drejtori boshjak.
Gjatë këtyre orëve Bayern është i përqendruar gjetiu. Drejtuesit e klubit më të trofeshëm gjerman po mundohen që t'i mbyllin me sukses deri në detajet e fundit negociatat me Barcelonën për shitjen e Lewandowskit.
Bayern në fazën sulmuese deri më tani ka siguruar Sadio Manen nga Liverpooli, i cili pritet të jetë lokomotiva e skuadrës në sezonin e ri, ku barra kryesore pas largimit të një golashënuesi të rryer si Lewandowski, do t'i rëndohet pikërisht atij.
Ndërkaq, Cristiano Ronaldo po kalon në një moment jo shumë të mirë. Ai "për arsye personale" nuk është grumbulluar në fazën përgatitore në Azi me bashkëlojtarët e tij. Manchester United ka theksuar faktin që nuk e ka ndërmend të privohet nga ai, pasi ka edhe një vit tjetër kontratë me klubin.

