Ronaldo e largoi menaxherin shumëvjeçar, pasi ai dështoi ta dërgonte në Bayern Munich apo Chelsea - NACIONALE

Ronaldo e largoi menaxherin shumëvjeçar, pasi ai dështoi ta dërgonte në Bayern Munich apo Chelsea

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo i kishte vënë ultimatum ish-menaxherit të vet, Jorge Mendes, për t’ia mundësuar atij kalimin në Bayern Munich apo Chelsea, në kohën kur po bënte përpjekje për t’u larguar patjetër nga Manchester Unitedi.

Ronaldo e shprehu dëshirën për t’u larguar nga Unitedi për herë të parë gjatë verës së vitit 2022, i dëshpëruar për ta gjetur një klub që ishte pjesë e Ligës së Kampionëve.

Mendes kishte biseduar me Bayernin dhe Chelsea, por kishte dështuar të arrinte marrëveshje dhe si pasojë Ronaldo mbeti i ngujuar në United deri në nëntor, kur ia bëri punën vetes të largohej detyrimisht.

Unitedi ia shkëputi atij marrëveshjen atë muaj, menjëherë pas një interviste bombastike me Piers Morgan, në të cilën Ronaldo e kritikoi haptazi klubin dhe trajnerin Erik ten Hag.

Më vonë, Ronaldo u nda edhe nga menaxheri i vet shumëvjeçar Mendes, i cili njihet si supermenaxher, i cili ia kishte menaxhuar karrierën e shquar portugezin në nivelin më të lartë.

El Mundo raporton se marrëdhëniet profesionale mes Ronaldos dhe Mendesit u prishën pasi ky i fundit nuk ishte në gjendje t’ia siguronte 38-vjeçarit kalimin te klubi ku ai dëshironte – Chelsea apo Bayern.

Pronari i ri i Chelseat, Todd Boehly, kishte shprehur interesim fillimisht për ta marrë Ronaldon në Stamford Bridge, por trajneri i atëhershëm i klubit Thomas Tuchel e kishte kundërshtuar praninë e Ronaldos në skuadër.

Ndërkohë, shefi ekzekutiv i Bayernit, Olivier Khan, kishte treguar se gjiganti i Bundesligës nuk e kishte parë Ronaldon si lojtar të përshtatshëm me filozofinë e klubit, pas bisedimeve të brendshme.

Pas përpjekjeve të dështuara për ta siguruar kalimin në një klub evropian i cili do të mundë t’i ofronte futboll në Ligën e Kampionëve, Ronaldo përfundoi befasisht në Arabi Saudite.

Ai iu bashkua klubit saudit Al Nassr në një marrëveshje tejet të majme, më fitimprurësja në historinë e futbollit, 200 milionë euro në vit.

Ronaldo e ka nisur një epokë të re në karrierë tashmë, duke debutuar në kampionatin e Arabisë Saudite me Al Nassr në fundjavë.

Përveç se nuk arriti të shënojë gol, sulmuesi portugez dështoi të lërë mbresa në debutimin e tij për Al Nassr në fitoren 1:0 kundër Al-Ettifaq të dielën.

Ronaldo u shpreh shumë i lumtur që Al Nassr arriti t’i fitojë tri pikë në ndeshjen e tij debutuese në kampionatin e Arabisë Saudite dhe shprehu mirënjohje ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve.

Sulmuesi portugez debutoi për Al Nassr të dielën madje si kapiten e skuadrës, në fitoren 1:0 kundër Al-Ettifaq.

Lajme të ngjashme