Prapaskena: Si i bëri Zvicra presion Bajramit që të largohet nga Kosova U21 - NACIONALE

Prapaskena: Si i bëri Zvicra presion Bajramit që të largohet nga Kosova U21

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Kosova po përballet me një eksod të lojtarëve të rinj në drejtim të kombëtareve tjera. Nga Kosova u largua edhe portieri cilësor i Young Boys U21, Ardian Bajrami. Gazeta Nacionale ka siguruar disa prapaskena.

Nuk do mend që është shqetësuese lehtësia me të cilën shumë lojtarë sabotojnë dhe largohen nga Kombëtaret e grupmoshave të Kosovës. Ky fenomen me të drejtë ka filluar t’i brengosë të gjithë futbolldashësit kosovarë.

Medon Berisha dhe Ardion Pajaziti ishin emrat të fundit që njoftuan largimin nga Kosova U21, por sigurisht nuk janë të vetmit. Ngjashëm ka vepruar edhe Ardian Bajrami, portieri premtues i Young Boys, i cili ka zgjedhur që t’i bashkohet Zvicrës.

Burimet e ndryshme i kanë treguar Gazetës Nacionale se si ka ardhur deri në këtë proces. Sigurisht, asgjë e re që nuk është dëgjuar më herët. Praktika që vazhdojnë të jenë një refren i përsëritshëm.

Presioni i Zvicrës

Në bazë të informatave që posedon Gazeta Nacionale, e cila është munduar që gjatë këtyre ditëve të informohet në lidhje me këtë largim, mësohet Ardian Bajrami ka qenë subjekt i një presioni të madh nga Kombëtarja e Zvicrës që ta braktiste Kosovën.

Si portier që ka pasur paraqitje të mira edhe në kompeticionin e Ligës së Kampionëve për të rinj, të njohur si UEFA Youth League, forma e tij ka qenë gjithnjë në rritje, ndonëse bëhet fjalë gjithmonë për një 18-vjeçar.

Në këtë aspekt, Zvicra duket se nuk e ka kapërdirë aspak zgjedhjen fillestare të Bajramit që t’i bashkohej Kombëtares së Kosovës, më saktësisht grupmoshës U21.

Presionet e tyre kanë qenë direkte dhe kështu ai është bindur që ta sprovojë veten te “helvetët”. Madje, siç mund ta shihni të ilustruar në fotografinë e mëposhtme, ai tashmë figuron edhe zyrtarisht si lojtar që është pjesë zyrtarisht pjesë e Zvicës. Profili i tij është vendosur në faqen zyrtare të federatës zvicerane.

Për më tepër, Bajrami është grumbulluar më 31 gusht nga Zvicra U19 për një kamp disa ditor, ku është zhvilluar edhe një miqësore me Lihtenshtajnin, të cilën e fituan me rezultat 1:0. Aty portierit kosovar nuk iu dha asnjë minutë e vetme, duke qëndruar gjatë tërë kohës në bankën rezervë.

Zvicra dhe Kosova ka kohë që janë në një gjueti të madhe rreth lojtarëve kosovarë që janë të lindur dhe rezidentë në shtetin alpin.

Refuzimi i ofertës së Kosovës

Duke iu referuar gjithnjë burimeve të Gazetës Nacionale, Kosova nuk është se ka qëndruar duarkryq. Në fakt, është bërë e pamundura që të bindet që Ardiani të qëndrojë pjesë e kontingjentit të ekipit kombëtar U21.

Ai llogaritej se do të ishte edhe zgjedhja e parë e Kosovës U21 në fushatën e ardhshme kualifikuese, që do të nisë nën drejtimin e përzgjedhësit Afrim Tovërlani.

Mirëpo dëshira anoi nga ana e Zvicrës. Atij nuk i bëri përshtypje të qenët portier i Kosovës U21, në ndeshje zyrtare. Një tregues i radhës që flet për tendencën se si disa lojtarë janë të prirë ta trajtojnë Kosovën si zgjedhje rezervë apo shtojcë deri në ftesë konkrete nga Kombëtaret e vendeve respektive ku ata kanë lindur.

Gazeta Nacionale me burime të ndryshme afër lojtarit është munduar të zbulojë nëse ka pasur ndonjë pakënaqësi me Kosovën, për ndonjë trajtim eventualisht jo të duhur, por konstatohet asgjë e tillë. Pra, është vetëm një zgjedhje e ndikuar nga presioni i Zvicrës dhe dëshirës së tij për ta sprovuar veten te “helvetikët”.

Ardian Bajrami është ftuar për herë të parë nga ish-përzgjedhësi Albert Bunjaki në grumbullimin e marsit të vitit të sivjem.

Kjo rrezikon të jetë hera e fundit kur ai ka figuruar pjesë e "dardanëve". Gjatë këtyre ditëve Kombëtarja e shpresave po qëndron në Antalia të Turqisë, atje ku po zhvillon një kamp në përgatitje të kampanjës së re kualifikuese. Nga njoftimet zyrtare nuk është përjashtuar mundësia e zhvillimit të ndonjë miqësoreje. Gjithsesi, një numër i madh lojtarësh përbëjnë risi në listën e re të Kosovës U21.

Lajme të ngjashme