Pioli: S’na pëlqen kjo shkëputje pikësh ndaj Napolit, mund të japim më shumë
Milani sonte bëri një hap fals në kampionat, duke barazuar në udhëtim 0:0 ndaj Cremonese. Tani Napoli është 8 pikë larg kampionit në fuqi italian dhe Stefano Pioli deklaroi se nuk i pëlqen aspak kjo gjë.
Vetëm dy raste për shënim dhe pasime sterile – ishte pasqyra e Milanit sonte kundër Cremoneses, në një ndeshje që doli të ishte më e vështirë seç pritej.
Stefano Pioli deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij duhet të ishte më konkrete dhe më e saktë në sulmet e saj, duke shtuar se nuk i pëlqen aspak tabela e tanishme që sheh Napolin tetë pikë para ekipit të tij.
“Tetë pikë nga Napoli janë shumë. Nuk na pëlqen. Mund të bënim më shumë. Kemi zhvilluar një pjesë të parë diskrete dhe një pjesë të dytë jo në lartësinë e duhur. Duhej të ishim më të saktë teknikisht. Cremonese bëri një paraqitje defansive dhe kishte pak hapësira, por mund të bënim më mirë”, nënvizoi ai.
Milani nuk ishte aspak i rrezikshëm në pjesën e dytë dhe këtë e saktësoi vetë Pioli: “Në pjesën e dytë humbëm shkëlqim. Kemi fituar pak duele në sulm. Zakonisht ia dalim, sonte jo dhe kishim shumë vështirësi. Duhej t’i bënim më mirë lëvizjet pa top për të ofruar më shumë zgjidhje.”

Pioli mbron Leaon dhe refuzon ta kritikojë hapur De Ketelaeren
Rafael Leao, së bashku me Olivier Giroud dhe Theo Hernandez llogaritën si tre lojtarët e Milanit që janë të aftë ta ndryshojnë kahjen e ndeshjes, përmes tipareve teknike të larta që kanë.

Sot, Leao hasi në vështirësi të mëdha, duke mos arritur që të ishte shpërthyes siç është rëndomtë. Megjithatë, Pioli mendon se është gabim që tërë loja të koncentrohet te Leao, ashtu siç e sheh gabim që të përqendrohen të gjithë reflektorët vetëm tek ai e jo te skuadra në përgjithësi.
“Është gabim që të koncentrohemi gjithmonë te një lojtar. Nëse punojmë mirë si skuadër atëherë fitojmë. Nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, nuk ia dalim dot të fitojmë. Mirëpo, nëse Leao nuk bën një paraqitje në lartësinë e duhur atëherë nuk duhet t’ia drejtojmë gishtin për ta akuzuar”, shpjegoi ai.
Trajneri italian tha se kishte pritur një qasje të tillë nga Cremonese: “E presim këtë qasje nga ekipi kundërshtar, që të priste mjaft shumë në gjysmëfushës vet. Patëm dy raste shënimi dhe është më se e qartë që nëse nuk i shfrytëzon ato, pastaj gjithçka bëhet më e ndërlikuar. Kemi ndërtuar pak raste shënimi krahasuar me atë se çfarë dimë të bëjmë.”
Pioli edhe sot refuzoi që të flasë me kritika për lojtarë të caktuar, siç është De Ketelaere njëri prej tyre që nuk po ia del të ambientohet në formën më të duhur prej që është transferuar nga Club Brugges.
“Të gjithë mund të bëjmë më mirë, përfshirë meje”, u përgjigj Pioli në pyetjen direkte për mesfushorin kreativ belg.

