Maldini: Ky është vetëm fillimi – tani duhet të jemi ambiciozë
Pasi Milani siguroi kualifimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, shefi ekzekutiv i klubit, Paolo Maldini, u prononcua duke thënë se ky është vetëm fillimi.
Një fitore me rezultat të thellë 4:0 ndaj Salzburgut ia bëri të mundur Milanit që ta sigurojë kualifikimin në 1/8 e finales në kompeticionin më të madh evropian.
Ky ishte objektivi parësor që kishte klubi kampion në fuqi në Itali. Vetë Maldini nuk hezitoi aspak ta shprehte tërë gëzimin kur u intervistua nga “Amazon Prime Video” pas mbarimi të ndeshjes.

“Ky është vetëm fillimi. Tani duhet të jemi ambiciozë. Jemi shumë të lumtur për kualifikimin, por duhet të synojmë në diçka më të madhe. Tani duhet t’i bëjmë gjërat seriozisht”, nënvizoi ai.
Pika e kthesës
Paolo Maldini u pyet se cila ka qenë pika e kthesës që ia mundësoi ekipit të tij që të rikthehet në këtë vitrinë të futbollit evropian, duke u renditur në mesin e 16 skuadrave më të mira.
“Kemi filluar para katër vitesh rrugëtimin me këta lojtarë. Ia kemi vënë vetes disa caqe dhe ky është viti ku duam t’i përforcojmë gjërat pasi kemi fituar titullin kampion në Serie A, në mënyrë që ta gjejmë një dimension evropian. Nuk është e lehtë, por besoj që do të jemi arrë e fortë në mesin e skuadrave që u kualifikuan si të dytat në grupe”, tha ai.
Drejtuesi italian është i kënaqur edhe për moshën e lojtarëve që ka në organikë: “Jemi të lumtur. Skuadra është e re dhe po bëhet e pjekur. Ndoshta para dy vitesh do kishim festuar më shumë.”

Milani para pak ditësh konfirmoi vazhdimin e kontratës për Piolin, por Maldini siguron se një gjë të tillë kishin vendosur ta bënin pavarësisht rrethanave që do të krijoheshin në Ligën e Kampionëve.
“Mendoj që ishte e drejtë të bëhej (publikimi i vazhdimit të kontratës së Piolit për tre sezone tjera) para kësaj ndeshje, sepse trajneri Pioli asnjëherë nuk ka qenë në mëdyshje. Edhe nëse gjërat do shkonin keq do kishim vazhduar kontratën e tij”, shpjegoi ai.

Maldini u pyet nëse skuadra e tij ka ndonjë sekret: “Jemi të uritur. Më pëlqen ta shoh këtë gjë në skuadër dhe në grupin tonë të punës. Nuk duhet harruar se çfarë ka përfaqësuar më herët ky klub. Nuk duhet të vetëkënaqemi me atë që kemi arritur të bëjmë deri sot. Titulli i fituar në Serie A ka qenë tregimi më i mirë si kemi dhënë gjithçka nga vetja për ta kaluar Interin dhe e njëjta gjë duhet të ndodhë në Ligën e Kampionëve.”

