Milan gabon sërish, ndalet nga Cremonese
AC Milan nuk ka arritur të arkëtojë më shumë se një pikë në udhëtim te Cremonese, në kuadër të xhiros së 14-të në Serie A.
"Rossonerët" edhe pse dominuan plotësisht në të gjitha aspektet, assesi nuk arritën ta gjejnë rrugën drejtë rrjetës, me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 0:0.
Mysafirët nisën të rrezikojnë nga fillimi i ndeshjes, duke rrezikuar përmes Diaz dhe Tonali, që nuk i finalizuan aksionet e bukura.
Junior Messias gjithashtu kishte një mundësi të mirë shënimi, por dështoi në përballjen një kundër një ndaj portierit Marco Carnesecchi.
Gjatë pjesës së dytë, Milan shënoi përmes qendërsulmuesit Divock Origi, mirëpo pastaj ndërhyri VAR-i duke e anuluar për pozitë jashtë loje (57').
Në anën tjetër, vendasit mund të thuhet haptas se nuk krijuan asgjë, duke u mbrojtur gjatë tërë kohës e brenda 90 minutave nuk arritën të bëjnë asnjë goditje drejt portës.
Për Milanin kjo është një tjetër lëshim, pasi që tani është plot tetë pikë prapa liderit, Napoli, skuadër kjo që këtë edicion ende nuk di për humbje në kampionatin italian.
"Rossonerët" kanë arkëtuar 30 pikë brenda 14 xhirove, derisa Cremonese vazhdon garën për mbijetesë, duke qenë në pozitën e 17-të me vetëm shtatë pikë.
Në xhiron e radhës, njëkohësisht të fundit para Kupës së Botës, Milan do ta mirëpres Fiorentinan, derisa Cremonese do t'i shkojë Empolit.