Peja – Trepça: Titulli kampion apo edhe një ndeshje vendimtare, sot mund të vendoset gjithçka në Karagaq - NACIONALE

Peja – Trepça: Titulli kampion apo edhe një ndeshje vendimtare, sot mund të vendoset gjithçka në Karagaq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Finalja e katërt në Superligën e Kosovës në basketboll zhvillohet sot, ku KB Peja e pret KB Trepçën në palestrën Karagaqi, ku seria e finaleve është në të mirë të mitrovicasve me rezultat të përgjithshëm 2:1.

Siç dihet tashmë, skuadra e parë me tri fitore shpallet kampion i Kosovës në basketboll dhe Trepça ka mundësinë e artë që ta përfundojë këtë dilemë sot me një fitore si mysafirë, në të kundërtën do të kemi një finale të pestë në Mitrovicë ku do të vendoset gjithçka sa i përket kampionit.

Tri finalet e para ishin vërtetë të bukura, me basketboll kualitativ nga dy skuadrat, të shënuar me pak incidente, ku tifozët vazhdojnë me fyerje të ulëta ndaj basketbollistëve.

KB Trepça e fitoi finalen e parë me rezultat 94:86, me Jamal Artis dhe Ken Brown që shkëlqyen në atë ndeshje me 27 dhe 24 pikë, respektivisht.

Finalja e dytë ishte më e pabarabartë, pasi Peja fitoi bindshëm në shtëpi me 28 pikë epërsi, 107:79, ku Arti Hajdari me 18 pikë, Jalen Tate me 22 dhe Larry Thomas me 18, ishin më të dalluarit, teksa te mysafirët përveç Drilon Hajrizit që shënoi 18 pikë dhe tetë rebounds, të tjerët nuk ishin në nivelin e duhur.

Kur gjithçka po shkonte mirë dhe seria ishte e barabartë, KB Trepça mbeti pa trajner, pasi Engin Gencoglu u largua me një marrëveshje të dyanshme me klubin, vetëm një ditë para finales së tretë, duke lënë publikun skeptik.

Skuadrën nën drejtim e mori Ilir Selmani, i cili e udhëhoqi Trepçën drejt fitores së dytë.

Pejanët i fituan tre çerekët, por në periodën e fundit Mitrovicasit përmbysen gjithçka për të fituar në fund me rezultat 97:90.

Dyshja e Kombëtares së Kosovës, Drilon Hajrizi dhe Mikaile Tmusic shkëlqyen, duke shënuar 28 dhe 25 pikë respektivisht, teksa edhe pse humbën, Arian Qallakaj bëri paraqitje shumë të mirë te Peja me 19 pikë, tre rebounds e tre asiste.

Finalja e katërt do të zhvillohet sot në palestrën Karagaqi në Pejë, e planifikuar të fillojë në 17:15.

Lajme të ngjashme