Monotonia në Superligë si rezultat i lojës pasive - ja statistikat rrëqethëse - NACIONALE

Monotonia në Superligë si rezultat i lojës pasive - ja statistikat rrëqethëse

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Superliga e Kosovës akoma nuk ka arritur të shndërrohet në një produkt që tërheq tifozët për ta ndjekur atë nga afër. Njëra prej arsyeve kryesore është edhe loja joaktive. Gazeta Nacionale në vazhdim ju sjell disa statistika.

Shumë shtrirje në fushë. Shumë zhagitje të lojës e pak volum loje, janë ato veçori që zakonisht karakterizojnë pjesët e dyta në kampionatin kosovar të futbollit.

Jo që pjesët e para dallojnë ndopak. Në përgjithësi, fakti që topi shpesh nuk lëviz në fushë si rezultat i ndërprerjeve të shumta, e bën më të bezdisshme lojën për shikuesit që e ndjekin nga shkallët e stadiumit ose nga ekrani televiziv. Gazeta Nacionale përmes një kërkimi të bërë ka gjetur mesataren e lojës pasive në kuadër të një jave të zhvilluar në Superligën e Kosovës.

Duke marrë si mostër javën e parafundit që u zhvillua në Superligën e Kosovës, më saktësisht duke u ndalur te ndeshjet që u zhvillua në fundjavën e kaluar, Gazeta Nacionale siguroi minutat e lojës pasive.

Mesatarja e lojës pasive në Superligën e Kosovës është 51:21 minuta. Pra, më shumë sesa në një pjesëlojë topi nuk rrokulliset në fushë. Nuk ka lojë aktive. Gjithçka ndalet nga ndërprerjet, zhagitjet apo vonesat tjera.

Vonesat neveritëse të lojës

Pra, vetëm rreth diç më shumë se 40 minuta ndjekësit e futbollit kosovar kanë mundësi të shohin futboll efektiv. Shifër shumë e vogël. Rrjedhimisht, kjo ndikon që futbolli në vendin tonë të shihet heraherës, ose në shumicën e rasteve – si monoton dhe jo tërheqës.

Në kuadër të javës së 15-të më së shumti pati lojë pasive në “Zahir Pajaziti”, në ndeshjen Llapi – Ferizaj, që përfundoi 2:1 në të mirë të mysafirëve. Në ndeshjen në fjalë loja pasive kapi kulmin e 57:46 minutave.

Ndërprerjet e shpeshta, mosdhënia e përparësisë në raste të caktuara nga gjyqtarët, ashtu sikurse mosqortimi i duhur në rastet kur lojtarët shtirën si të lënduar – penalizojnë shumë zhvillimin e lojës dinamike.

Këto detaje jemi dëshmitarë që po ndikojnë vazhdimisht edhe te koha shtesë që po akordohet, ku këtë sezon, shto edhe këtu për shkak të faktorit VAR dhe vonesat e marrjeve të vendimeve – ndeshjet po stërzgjatën e shumë pak njëmend po luhen në fushë.

Kujtojmë se faktori i lojës pasive është transformuar në një kancer për futbollin vendor, i cili për fatin e keq nxitet edhe nga trajnerët e thuajse të gjitha skuadrave.

Madje, vetë ngadalësimi dhe vonesa e lojës përdorët si klithmë për të arritur rezultate më pozitive, duke harruar elementin që ndoshta nuk sjell pikë, por i jep hije të keqe të gjithë imazhit të kampionatit: përçimi i neverisë te publiku.

Krahasimi me kampionatet afër nesh

Gazeta Nacionale po ashtu ka arritur t’i sigurojë edhe statistikat e lojës pasive nga kampionatet në Shqipëri dhe ai në Maqedoninë e Veriut.

Situata nuk është shumë më ndryshe edhe në këto kampionate. Në fakt, në gjenezë që të gjithë ankohen për këtë problem, që po sjell shumë vrer te ndjekësit e futbollit.

Kampionati në Shqipëri qëndron më keq se ai i Kosovës me mesataren e lojës pasive. Pra, në Shqipëri në javën e fundit të kampionatit si mesatare kjo shifër shkoi në 53:03 minuta. Ndeshja Bylis – Teuta ishte ajo që u nënvizua më së shumti ky aspekt, me 57:27 minuta lojë pasive të llogaritura.

Ndërkaq në Maqedoninë e Veriut gjërat qëndrojnë diçka më mirë, ndonëse thelbësisht jo shumë më kënaqshëm. Pra, mesatarja është diç më e ulët sesa në Superligën e Kosovës kur flasim për lojën pasive: 50:20 minuta.

Në esencë jo diçka që bën dallimin. Pobeda dhe Shkëndija ishin skuadrat që prodhuan më së shumti futboll aktiv gjatë javës që shkoi në kampionatin fqinj.

Një faktor pse këto kampionate vuajnë nga mungesa e shikuesve, duke llogaritur edhe atë të Kosovës, është pashmangmërisht kjo komponentë. Një masë krahasimore nëse bëhet me skuadrën e parë cilësore në Ballkan që e kemi afër nesh, atë të Dinamo Zagrebit dhe futbollit që aplikon në kampionatin gjegjës, dallimi del të jetë substancial.

Në ndeshjen e fundit që u zhvillua në “Maksimir” mes Dinamo Zagrebit dhe Sibenikut, që përfundoi 3:0 për nikoqirët, vetëm 33:32 minuti pati lojë pasive. Pra, afro 20 minuta më pak sesa në kampionatet tona përreth.

Zhagitja e lojës është një “taktikë e pshtirë” deri diku e kuptueshme kur bëhet në fazat kohore të kampionatit që ndikojnë direkt në fatin e një sezoni. Pra, kur përcaktohet një cak, një finale kupe apo diçka e ngjashme. Mirëpo, tani të shkohet në këto shifra, është jo gjëja e duhur.

Fitohet ndonjë pikë më shumë, por humbën shumë e shumë tifozë më shumë. Futbolli kosovar, por edhe ai në Shqipëri, nuk po arrinë dot ta kapërcejë këtë vrimë të zezë. Flitet shumë, por fatkeqësisht askush nuk merr masa.

Lajme të ngjashme