Llapi e turpëron kampionin Ballkani, Gjilani e Drita ndahen baras - NACIONALE

Llapi e turpëron kampionin Ballkani, Gjilani e Drita ndahen baras

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Llapi e ka turpëruar 4:1 kampionin në fuqi Ballkani, duke ia shkaktuar disfatën më të thellë këtë sezon, ndërkohë që Gjilani e ndali lideren dhe rivalen Drita me barazim 1:1 në derbin e Anamoravës.

Drita e Ballkani tani nuk dinë për fitore në tri ndeshje radhazi në Superligë, duke iu mundësuar skuadrave poshtë tyre që të afrohen me pikë dhe ti sfidojnë akoma më shumë kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të pjesës së parë të sezonit.

Gjilani – Drita

Derbi i Anamoravës, i zhvilluar jo në kushte normale, pasi që nuk ishte me praninë e tifozëve për herë të dytë me radhë, për shkak të kushteve joadekuate në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan, ka përfunduar pa fitues, me rezultat të barabartë 1:1.

Pjesa e parë ishte monotone, me vetëm dy raste të mira krijuara, nga një rast për secilën skuadër.

Fillimisht rrezikuan Intelektualët me anë të sulmuesit maqedonas, Simunovski, i cili goditi me kokë por portieri Enea Koliçi ishte vendimtar për të mbajtur rezultatin 0:0.

Edhe Skifterët arritën të krijonin një rast të mirë shënimi, ku Ramadani nga gjuajtja e lirë goditi shtyllën, disa minuta para se të përfundonte pjesa e parë.

Pjesa e dytë filloi më mirë për Gjilanin, të cilët kaluan në epërsi të parët.

Ishte një aksion i mirë i ndërtuar, kur në minutën e 67-të Baton Zabergja u gjend shumë mirë pas një harkimi për të shënuar për 1:0.

Por vendasit nuk arritën ta mbanin këtë rezultat deri në fund, pasi që Almir Ajzeraj shënoi për barazimin e rezultatit 1:1 në minutën e 82-të.

Gola më nuk pati dhe derbi i Anamoravës përfundoi pa fitues.

Drita vazhdon të mbetet lider në Superligë me 32 pikë, por ka tri ndeshje më shumë të zhvilluara se Ballkani, ndërsa Gjilani rrëmben pozitën e tretë përkohësisht, me një pikë më shumë se Prishtina që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ballkani – Llapi

Kampioni i Kosovës nga sezoni i kaluar është turpëruar nga Llapi i Tahir Batatinës, duke u mposhtur në Suharekë 4:1.

Llapjanët dolën herët në epërsi, kur Fernandinho në minutën e shtatë shënoi për 1:0.

May be an image of 1 person and text

Në vazhdim të pjesës së parë, mysafirët shënuan edhe një herë, kësaj radhe me anë të Francisco Rivera për 2:0 në minutën e 35-të.

May be an image of 1 person and text

Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë u shënuan edhe tre gola tjerë.

Rivera shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje dhe të tretin për skuadrën e Llapit në minutën e 78-të, ndërsa për 4:0 u përkujdes Gerhard Progni një gol shumë të bukur nga gjuajtja e lirë.

May be an image of 1 person and text

E tëra se çfarë bëri Ballkani ishte një gol në minutat shtesë, i shënuar nga mbrojtësi Lumbardh Dellova për rezultatin përfundimtar 4:1.

May be an image of 3 people, people playing sports and text

Kjo humbje vjen e hidhur për Ballkanin, që nuk arriti ta shfrytëzonte gabimin e Dritës.

Suharekasit mbetën të dytit në renditje me 27 pikë apo pesë më pak se Drita që ka tre ndeshje më shumë të zhvilluara, ndërsa Llapi largohet nga zona e rrezikshme drejt pozitës së pestë me 19 pikë.

Tabela pas javës së 16-të në Superligën e Kosovës

Lajme të ngjashme