Superliga vazhdon sot me dy derbi – Gjilani e pret Dritën, Llapi udhëton te Ballkani - NACIONALE

Superliga vazhdon sot me dy derbi – Gjilani e pret Dritën, Llapi udhëton te Ballkani

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Dje filloi java e 16-të e Superligës së Kosovës me tri ndeshje, ndërsa sot zhvillohen edhe dy takimet e fundit të kësaj jave. Dy ndeshje shumë të mira na presin, në njërën anë takohen Gjilani e Drita në derbin e zjarrtë të Anamoravës, kurse në anën tjetër Ballkani e pret në shtëpi Llapin.

Të gjitha këto katër skuadra në vitin e kaluar ishin pjesë e top katërshes në fund të sezonit, ku kampion doli Ballkani, nënkampion Drita, vendi i tretë Gjilani e fituesi i Kupës së Kosovës dhe vendi i katërt Llapi.

Në sezonin e ri nuk është se dallon shumë nga kjo renditje, me vetëm llapjanët që nuk bëjnë pjesë në katër skuadrat më të mira momentale, duke u gjendur në pjesën e poshtme të tabelës.

Derbi i Anamoravës

Gjilani e Drita takohen sot në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan, në një nga derbit më të zjarrtë të Superligës së Kosovës, por që për shkak të kushteve joadekuate të stadiumit, ashtu si në ndeshjen e kaluar mes tyre, as në këtë ndeshje nuk do të ketë tifozë në përkrahje të skuadrës së zemrës.

Ndeshja që zhvillohet në ora 13:00, do të jetë e 42-ta mes tyre në kampionat, e në 41 ndeshjet paraprake, Drita prinë me 15 fitore, krahas 12 të Gjilanit dhe 14 ndeshje tjera kanë përfunduar me barazim.

May be an image of 3 people, people playing sports and text

Intelektualët pozicionohen të parët në tabelë pas javës së 15-të me 31 pikë të grumbulluara, kurse Skifterët janë në pozitë të katërt me 23 pikë aq sa ka edhe Prishtina e vendit të tretë.

Në takimin parë në kuadër të këtij sezoni të zhvilluar mes dy skuadrave, triumfuese doli Drita me rezultat bindës 4:1.

Kujtojmë se Drita është kampione e trefishtë e elitës së futbollit kosovar, ndërsa Gjilani ende nuk ka arritur të shpallet kampione.

Ballkani – Llapi

Kampioni i Kosovës në fuqi e pret sot Llapin në ndeshjen e parë mes dy skuadrave në këtë sezon, pasi që ndeshja e rrethit të parë është shtyrë deri në një datë të përshtatshme për shkak se gjatë muajit shtator Ballkani ishte në rrugëtimin e saj evropian, që tashmë ka mbaruar.

May be an image of 1 person, playing a sport and text that says 'CIMA alh SUPERLIGA MALL FC BALLKANI FLUPI TH vS CIMA 1932 KF.LLAPI® FC BALLKANI KF LLAPI 10.11.2022 KICK-OFF: 13:00 STADIUMI IQYTETIT SUHAREKE #FCBALLKANI'

Suharekasit vijnë në këtë ndeshje pas një barazimi në ndeshjen kryesore të javës së 15-të, ku u takuan me Dritën dhe rezultati i takimit ishte 2:2. Në anën tjetër Llapi vjen nga një humbje befasishme, ku u mposht nga vendi i fundit në tabelë, Ferizaj, për t’ia ndërlikuar vetës punët edhe më shumë.

Ballkani hynë në këtë ndeshje nga pozita e dytë me 27 pikë të grumbulluara, por që ka tre ndeshje më pak se lideri aktual, kurse Llapi me humbjen në fundjavë dhe me fitoren e kundërshtarëve nga fundi i tabelës dje, pozicionohen në vendin e nëntë apo të parafundit, pozitë kjo që dërgon në Ligën e Parë të Kosovës.

Tabela momentale në Superligën e Kosovës

Lajme të ngjashme