Ballkani arrin të marrë një pikë të vlefshme në udhëtim te Drita, Ferizaj e befason Llapin - NACIONALE

Ballkani arrin të marrë një pikë të vlefshme në udhëtim te Drita, Ferizaj e befason Llapin

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kanë përfunduar edhe dy takimet e fundit të javës së 15-të në Superligën e Kosovës, aty ku u zhvillua ndeshja kryesore e javës ndërmjet Dritës e Ballkanit e që përfundoi me barazim 2:2, në anën tjetër Ferizaj i vendit të fundit sheh dritë në fund të tunelit, duke mposhtur Llapin në udhëtim 2:1.

Drita – Ballkani

Padyshim që epiteti i ndeshjes më të mirë të javës i takon kësaj sfide, për shumë arsye, por edhe pse po luftojnë kokë më kokë për kreun e tabelës.

Drita është lider aktual i Superligës por ka tre ndeshje më shumë të zhvilluara, ku është vetëm katër pikë mbi kampionin në fuqi Ballkanin.

E njëjta renditje mbet edhe pas ndeshjes së zhvilluar në Gjilan, pasi suharekasit arritën ta merrnin një barazim shumë të vlefshëm.

Në epërsi e para doli Drita, me anë të Besnik Krasniqit, që si gati çdoherë u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 12-të për 1:0.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i Ballkanit me anë të sulmuesit Albin Berisha që në minutën e 23-të barazoi gjithçka.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.

Me të nisur pjesa e dytë, Drita intensifikoi sulmet, dhe arriti shumë shpejt deri te goli i epërsisë 2:1, kësaj radhe shënoi sulmuesi maqedonas, Simunovski, në minutën e 49-të.

Si në rastin e parë edhe kësaj radhe Ballkani arriti deri te barazimi, por tani me anë të sulmuesit llapjan Albion Rrahmani, që shënoi nga afërsia për 2:2, për t’i siguruar skuadrës së tij një barazim shumë të vlefshëm.

Llapi – Ferizaj

Ndeshja e zhvilluar në Zahir Pajaziti prodhoi befasi pasi Llapi u mposht nga vendi i fundit, Ferizaj me rezultat 2:1.

Dardan Qerkini ishte ai që shënoi për epërsinë fillestare 1:0 të Ferizajt në minutën e 28-të dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Me të nisur pjesa e dytë, Ferizaj shënoi sërish, kësaj radhe me anë të sulmuesit veterean Betim Haxhimusa që shënoi për 2:0 në minutën e 49-të.

Llapi arriti vetëm ta ngushtonte rezultatin në 2:1 dhe asgjë më shumë. Golin e vetëm e shënoi Bianor Neto në minutën e 74-të.

Me rezultatin 2:1 përfundoi gjithçka.

Lajme të ngjashme