Tahir Batatina: Llapi im bëri paraqitje spektakolare - Ballkani ishte i lodhur, e kuptoj
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka cilësuar si spektakolare paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren e thellë kundër Ballkanit, por e pranoi se loja e kampionit në fuqi mund të ketë qenë e ndikuar nga lodhja si pasojë e ndeshjeve të tij në Evropë.
Llapi e turpëroi 4:1 Ballkanin midis Suharekës, duke ia shkaktuar disfatën më të thellë të sezonit deri tani.
Por kjo nuk është hera e parë që skuadra e Batatinës e mund 4:1 një skuadër të top katërshes në Superligë këtë sezon, pasi ngjashëm e kishte mposhtur edhe lideren Drita javë më parë.
Duke folur pas ndeshjes, Batatina tha se Llapi e shfrytëzoi lodhjen e Ballkanit për t’i marrë pikët e plota në udhëtim.
“Ne e kemi ditë që do të jetë ndeshje e vështirë. Sot ka ndikuar lodhja e Ballkanit në ndeshjet e Evropës. Ne e kemi shfrytëzuar këtë. I mbuluar pikëta e forta të Ballkanit. Kampionati është i gjatë duhet të shkojmë nga ndeshja në ndeshje. Ballkani dominon me cilësi brenda skuadrës. Por unë e kuptoj Ballkanin për shkak të ndeshjeve të shumta në Evropë”, tha Batatina.
Ballkani – i cili luajti në kualifikime për Ligën e Konferencës në verë duke u bërë klubi i parë kosovar që siguron pjesëmarrjen në fazën grupore të një gare evropiane – nuk ka fituar në tri ndeshjet e fundit, pasi ishte e angazhuar në dy gara deri në mesjavën e kaluar kur u eliminua.
Ai u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e Llapit – i cili tani numëron 19 pikë në vendin e pestë në tabelë – duke e quajtur atë spektakolare.
“Ne mëmë paraqitje spektakolare. Këtë herë i kishim marrë të gjitha masat për t’u përballur me Ballkanin dhe kemi bërë ndryshime taktike dhe e kemi ditur se nëse vrapojmë më shumë do ta fitojmë ndeshjen, gjë që edhe e arritëm”, shtoi ai.
Pavarësisht fitores, klubi nga Podujeva ngel 13 pikë larg lideres Drita – e cila ka një ndeshje më shumë të zhvilluar – dhe pesë pikë larg top treshes që çon në Evropë.
