Messi: Po i numëroj ditët - ky do të jetë Botërori im i fundit
Lionel Messi ka dhënë një intervistë për "Star+" ku ka folur edhe rreth Botërorit Katar 2022. Ai ka bërë të qartë se kjo do të jetë hera e fundit që do të luajë në këtë kompeticion.
Më 20 nëntor fillon Botërori në Katar dhe thuajse të gjithë sytë e ndjekësve të futbollit janë te një njeri: Lionel Messi.
Faktori moshë është përcaktues në futboll. Si 36-vjeç, shtatë herë fituesi i Topit të Artë është i vetëdijshëm se ky do të jetë rasti i fundit për të që të luajë në një ngjarje kaq të madhe futbollistike.
Këtë e ka pranuar edhe vetë ai gjatë një interviste që ka dhënë për "Star+", ku ka bërë të qartë të gjithë entuziazmin që po e ndien.
Numërimi i ditëve ka filluar për Messin
Kanë mbetur edhe 45 ditë deri te fillimi i Botërorit në Katar. Ky do të jetë Botërori i pestë në karrierën e Lionel Messit.
Ai si 18-vjeç kishte shënuar gol ndaj Serbisë në Botërorin 2006, që ishte i pari për të. Sigurisht, kjo ishte vetëm një pikënisje për atë se çfarë do të dëshmonte ndër vite.
Leo tregoi rreth emocioneve që po ndien para fillimit të Botërorit të sivjem, duke paralajmëruar se ky do të jetë edhe i fundit për të.
"Jam duke i numëruar ditët. Ndiej drithërima dhe nervozizëm në të njëjtën kohë. Do të doja që të fillonte që tani. Pavarësisht nga ajo çfarë do të ndodhë, do të jetë Botërori i fundit për mua", nënvizoi ai.
Ai është i kënaqur me formën që gëzon kombëtarja argjentinase, duke thënë se kanë një fond lojtarësh shumë cilësor.
"Vijmë nga një moment i mirë. Jemi një grup lojtarësh shumë i fortë. Mirëpo në Botëror gjithçka mund të ndodhë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe jo gjithmonë fitojnë favoritët", theksoi ai.
Ylli i PSG u pyet nëse e sheh kombëtaren e tij favorite në këtë Botëror: "Nuk e di nëse jemi kandidatët numër një për të triumfuar, por Argjentina niset gjithnjë si favorite. Mendoj që ka ekipe tjera kombëtare që sot llogariten si favorite, por edhe ne jemi aty."
Argjentina gjatë Botëroreve të fundit ka dështuar të shkëlqejë. Iu afrua shumë triumfit në vitin 2014, por falë golit të Mario Gotze në minutën e 113-të, Gjermania siguroi trofeun më të çmuar në futboll, në një sfidë që për hir të vërtetës kishte qenë krejtësisht e barabartë.

Me ç'rast, duke ditur vështirësitë që ka hasur kombëtarja amerikano-jugore herave të fundit, Messi uron që gjithçka të shkojë mirë kësaj radhe.
"Ndiej pak stres. Uroj që gjithçka të shkojë mirë", potencoi ai.
Rikthimi i formës nga Messi
Ndryshe nga sezoni i kaluar, tani Lionel Messi vjen nga një formë shumë e mirë, ku ka shënuar 5 gola në Ligue 1. Ndërkaq protagonist ishte edhe në Ligën e Kampionëve, ku dje shënoi golin e vetëm për ekipin e tij në barazimin 1:1 që u arrit në Lisbonë ndaj Benficas. Në tërësi Lionel Messi ka shënuar 2 gola në 3 paraqitje në edicionin e sivjem të kompeticionit më të madh evropian në nivel klubesh.
Formë monumentale po gëzon me fanellën e Argjentinës. Gjatë grumbullimit të fundit shënoi katër gola, me një mesatare prej dy golave për ndeshje. Ai i shënoi dy gola Xhamajkës, ashtu sikur edhe Hondurasit, në miqësoret që Argjentina i fitoi me rezultat 3:0.

Me bluzën e Kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi ka shënuar 90 gola në 164 paraqitje. Heraherës ka qenë edhe në shënjestër të kritikave, për shkak të rezultateve të dobëta të ekipit. Megjithatë, ajo që asnjëherë nuk ka mundur të vihet në pikëpyetje është stili magjik se si e interpreton futbollin dhe - tekefundit - qoftë edhe vetë kontributi që ka dhënë për kombëtaren që përfaqëson.
Kujtojmë se me Argjentinën në vitin e kaluar ka fituar Kupën e Amerikës Jugore, duke mposhtur në fushën mitike të Maracanas Brazilin me rezultat 1:0.
Njëherësh, ky ishte trofeu më i çmuar që Lionel Messi ka fituar me fanellën e kombëtares argjentinase.


