Messi realizon një gol të mrekullueshëm për epërsinë e PSG
Lionel Messi po vazhdon të dëfrejë me formën e tij momentale.
Ai ka shënuar gol në minutën e 22-të, duke kaluar PSG në epërsi kundër Benficas në udhëtim.
Ky ishte goli i dytë i tij në Ligën e Kampionëve.
Qëkur ka ardhë Galtier në drejtimin e stolit të PSG, Lionel Messi ka rikthyer formën e tij të dikurshme, ndryshe nga viti i kaluar që kishte hasur në disa vështirësi të theksuara.
Një raport të mirë me golat ai e ka edhe në Ligue 1, ku në 9 paraqitje, ka shënuar 5 gola.
Me pak fjalë, ky ishte një tjetër gol i bukur që shënoi shtatë herë fituesi i Topit të Artë, pas atij që e realizoi në fundjavë kundër Nice nga goditja e dënimit.
PSG në rast të një fitore sonte ndaj Benficas, do t'i afrohej shumë kualifikimit në mesin e 16 skuadrave më të mira në kompeticionin më të madh evropian.
Kujtojmë se ylli argjentinas ka kontratë të vlefshme me PSG deri në fund të këtij edicioni. Në orët e fundit medie dhe gazetarë të ndryshëm të afërt me familjen e tij, kanë raportuar se nga 1 korriku ai do të rikthehet në “Camp Nou”, aty ku ka vënë në dukje shkëlqimin më të madh si lojtar.
Vetë ai akoma nuk është deklaruar në lidhje me këtë temë, pasi koncentrimi kryesor është te Botërori që do të zhvillohet në Katar, aty ku Leo Messi synon që të dalë triumfues me Argjentinën e tij. Ashtu siç dihet, e vetmja kupë që mungon në vitrinën e tij shumë të pasur është ajo e Botërorit, andaj do të bëjë çmos për të ngadhënjyer kësaj radhe.
