Pamje: Messi me dy gola të shkëlqyer në fitoren e Argjentinës kundër Xhamajkës
Lionel Messi erdhi nga stoli për t’i shënuar dy gola të shkëlqyer dhe për t’i ndihmuar Argjentinës ta zgjasë në 35 ndeshje ecurinë pa humbje, pas fitores 3:0 kundër Xhamajkës të martën mbrëma në Shtetet e Bashkuara.
Argjentina i ka 25 fitore dhe 10 barazime që prej disfatës kundër Brazilit në Kupën e Amerikës më 2 korrik 2019.
Julian Alvarezi e kaloi Argjentinën në epërsi në minutën e 13-të, para se Messi të futej në lojë nga banka në minutën e 55-të për të shënuar dy herë.
Ky ishte goli i 90-të i Messit në 164 ndeshje për Argjentinën.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, i cili para tre muajve e festoi ditëlindjen e 35-të, shënoi gol të bukur nga rreth 25 metra largësi në minutën e 86-të, pas një bashkëveprimi me Giovani Lo Celso.
LIONEL MESSI WITH A GREAT GOAL FOR ARGENTINA! pic.twitter.com/WV9q0ZEVEP
— Roy Nemer (@RoyNemer) September 28, 2022
Tre minuta më vonë, Messi e shënoi golin e dytë nga gjuajtja e lirë duke e mposhtur portierin mu në krahun ku po qëndronte.
MESSI FREE KICK GOAL! 🔥 pic.twitter.com/wSUBroitFY
— J. (@Messilizer) September 28, 2022
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit i ka shënuar katër gola në dy ndeshje përgatitore të Argjentinës për Kupën e Botës këtë muaj.
Tifozët në tokën amerikane shpërthyen në duartrokitje në çastin kur Messi u çua në këmbë për t’u ngrohur dhe e tërë turma u ngrit dhe brohoriti kur ai u fut në lojë në vend të Lautaro Martinezit.
Messi, i cili e fitoi titullin e parë të madh me Argjentinën vitin e kaluar në Kupën e Amerikës, i dha shumë gjallëri lojës së ekipit të vet kombëtar kur u fut në lojë dhe e detyroi portierin e Xhamajkës Andre Blake t’i bëjë disa pritje të forta.
Stadiumi Red Bull Arena me 25 mijë ulëse ishte i mbushur me tifozë me fanella bardhekaltër dhe të jepte ndjesinë se Argjentina po luante në shtëpinë e vet.
Argjentina e ka vetëm edhe një ndeshje miqësore par Kupës së Botës 2022, kundër Emirateve të Bashkuara Arabe më 16 nëntor.
Ajo do ta hapë fushatën në Botërorin e Katarit me një ndeshje kundër Arabisë Saudite, dhe pastaj do të luajë kundër Meksikës dhe Polonisë në Grupin C.