Messi dhe Argjentina përballen me Kroacinë, testin më të vështirë deri tani në kërkim të lavdisë në Kupën e Botës - NACIONALE

Messi dhe Argjentina përballen me Kroacinë, testin më të vështirë deri tani në kërkim të lavdisë në Kupën e Botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lionel Messi është vetëm dy fitore larg arritjes së lavdisë në Kupën e Botës, por Argjentina e tij duhet së pari ta gjejë një mënyrë për ta kaluar Kroacinë në Stadiumin Lusail sot në mbrëmje.

Kroacia i tejkaloi parashikimet përsëri duke e mposhtur favoritin e turneut Brazilin në ndeshjen e kaluar, për të arritur në gjysmëfinale, ku e pret Argjentina.

Kroatët e rrëzuan një ekip plot talent dhe mjeshtëror brazilian të premten, duke e shënuar golin e barazimit në çastet e fundit të vazhdimeve dhe duke iu falur portierit hero Dominik Livakovic për pritjet madhështore në penallti.

Brazilianët, të cilët e ndriçuan turneun me sulmin e tyre drithërues, e kishin të pamundur të luanin lojën e tyre argëtuese për shkak të një mesfushe e mbrojtjeje të disiplinuar kroate.

Argjentina dhe Messi duhet të jenë të gatshëm për një sfidë të tillë, por ky ekip e ka dëshmuar tashmë vullanin për të këmbëngulur deri në gjetjen e një mënyre për të fituar në Katar 2022.

Megjithatë, trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni nuk do të mundë të llogarisë në dyshen Marcos Acuna dhe Gonzalo Montiel, të cilën janë të pezulluar, ndërkohë që Angel di Maria nuk është plotësisht i gatshëm.

Kjo nënkupton se trysnia mbi supet e Messit do të rritet edhe më shumë sonte, megjithëse kroatët këmbëngulin se përqendrimi i tyre nuk është vetëm dhe vetëm në 35-vjeçarin.

Sulmuesi Bruno Petkoviq tha: “Ne nuk e kemi ndonjë plan specifik për ta ndaluar Messin dhe ne nuk përqendrohemi zakonisht në ndaljen e vetëm një lojtarit por të tërë ekipit”.

Kroacia mund të jetë gjysmëfinalist në këtë Botëror dhe finalist nga Rusia 2018, por ajo nuk e ka fituar asnjë ndeshje të eliminimit brenda 90 minutave që prej vitit 1998.

Asaj iu deshën penalltitë për ta mposhtur Danimarkën dhe Rusinë katër vite më parë dhe në gjysmëfinale shkoi në kohën shtesë kundër Anglisë.

Këtë vit, ajo i ka fituar me penallti të gjitha ndeshjet e eliminimit – së pari kundër Japonisë dhe pastaj kundër Brazilit.

I pyetur për këtë, Daliq tha: “Ndeshjet e 2018-s nuk kanë asgjë të bëjnë me ndeshjen e nesërme. Është një ndeshje e madhe për të dy vendet. Nesër, asnjëri ekip nuk do të kursehet nga përpjekjet. Pres lojë dinamike, solide dhe fer nga të dy skuadrat”.

Jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në botë. Ky është sukses i jashtëzakonshëm për Kroacinë, por ne duam më shumë”.

Ndërkohë, mbrojtësi Nicolas Tagliafico theksoi se për Argjentinën është përparësi e madhe që e ka Messin në fushë sonte.

"Ai është personi që na jep avantazhin e veçantë kur jemi në fushë. E dimë që e kemi Messin dhe është motivim i madh dhe shpresoj sepse të gjithë mund të kontribuojmë dhe të japim më të mirën".

"Jemi vërtetë shumë të lumtur që Messi është kapiteni ynë. Me mbështetjen e të gjithëve jemi duke punuar që të arrijmë ëndrrën dhe është gjëja me e bukur që ta bëjmë me Messin në anën tonë", shtoi Tagliafico.

Lajme të ngjashme