Zlatko Daliq: Kroacia iu dha vende të vogla mundësi të ëndërrojnë, Argjentina e fortë por ne duam finalen
Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq, ka thënë se ekipi kombëtar i vendit të tij është shembull për vendet e vogla që ëndrrat mund të përmbushen, duke e synuar finalen e dytë radhazi në Kupën e Botës.
Kroacia do të përballet me Argjentinën në gjysmëfinale të Botërorit të Katarit këtë të marte dhe Daliq thotë se kroatët janë të uritur për më shumë se kaq.
“Ekipi kombëtar i Kroacisë e bëri ëndrrën realitet për të gjitha vendet e vogla para katër viteve, ne ua dhamë të drejtën atyre vendeve për të ëndërruar njëjtë. Katër vite më parë askush nuk priti që Kroacia të arrinte në finale. Vendet e vogla janë nxitur nga cilësitë dhe lufta jonë”, tha Daliq të hënën para përballjes me Argjentinën në Doha.
Kroacia mund të jetë gjysmëfinalist në këtë Botëror dhe finalist nga Rusia 2018, por ajo nuk e ka fituar asnjë ndeshje të eliminimit brenda 90 minutave që prej vitit 1998.
Asaj iu deshën penalltitë për ta mposhtur Danimarkën dhe Rusinë katër vite më parë dhe në gjysmëfinale shkoi në kohën shtesë kundër Anglisë.

Këtë vit, ajo i ka fituar me penallti të gjitha ndeshjet e eliminimit – së pari kundër Japonisë dhe pastaj kundër Brazilit.
I pyetur për këtë, Daliq tha: “Ndeshjet e 2018-s nuk kanë asgjë të bëjnë me ndeshjen e nesërme. Është një ndeshje e madhe për të dy vendet. Nesër, asnjëri ekip nuk do të kursehet nga përpjekjet. Pres lojë dinamike, solide dhe fer nga të dy skuadrat”.
“Jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në botë. Ky është sukses i jashtëzakonshëm për Kroacinë, por ne duam më shumë”.
Ai shtoi: “Ne po luajmë kundër një Argjentine të madhe, një ekip i shkëlqyer i udhëhequr nga Lionel Messi. E kemi analizuar kundërshtarin dhe e dimë se si luan ai. Unë iu besoj lojtarëve të mi. Ata kanë karakter të fortë dhe pa të nuk do të kishin arritur në gjysmëfinale.”
