Arrestohet një ukrainas në Kroaci për shpërthimet në gazsjellësin “Nord Stream” - NACIONALE

Arrestohet një ukrainas në Kroaci për shpërthimet në gazsjellësin “Nord Stream”

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një burrë ukrainas është arrestuar në Kroaci nën dyshimin për pjesëmarrje në bombardimin e gypave të gazsjellësit “Nord Stream” mes Rusisë e Gjermanisë.

Autoritetet gjermane dyshojnë se ky person ishte njëri nga zhytësit që vendosën lëndë shpërthyese në gypa në shtatorin e vitit 2022, pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, raporton televizioni BBC.

Ai është personi i dytë që arrestohet për këtë rast, i cili i ka tensionuar marrëdhëniet mes Kievit e Berlinit – njëri nga mbështetësit evropianë të Ukrainës në luftë.

“I dyshuari mori pjesë në zhytjet e nevojshme” për sabotim, thanë prokurorët gjermanë, duke shtuar se ata do ta kërkojë ekstradimin e tij nga Kroacia.

Prokurorët e identifikuan burrin ukrainas si Vladimir Z., zhytës i trajnuar. Megjithatë, merret vesh se ai quhet Volodymyr Zhuravlyov, i cili ishte arrestuar në Poloni vitin e kaluar për komplotin nën det.

Në atë rast, një gjykatës polak kishte hedhur poshtë një kërkesë të Gjermanisë për ekstradim, duke argumentuar se nëse Ukraina është përgjegjëse për sulmin, atëherë ky ishte akt “i drejtë”.

Zhuravlyovi më pas ishte liruar, duke nxitur befasi në turmën e njerëzve që ndodheshin në sallën e gjykatës dhe një buzëqeshje nga i dyshuari.

I dyshuari tjetër në rast është ish-oficeri ushtarak ukrainas, Serhiy Kuznetsov. Ai u arrestua në Itali në gushtin e vitit të kaluar dhe më vonë u ekstradua në Gjermani, ku pritet të ballafaqohet me gjykim. Ai e ka mohuar përgjegjësinë për shpërthimet dhe në qershor doli para një trupi gjykues në Hamburg.

Lajme të ngjashme